Rreziku i madh që e pret botën fill pas pandemisë së koronavirusit

0

Nga Kent Harrington, Project Syndicate

Teksa vaksinimet po shtojnë shpresat për t’i dhënë fund pandemisë, po rriten me shpejtësi edhe parashikimet në lidhje me botën pas-Covid. Nga parashikimi i një ekonomie që po ri-ngrihet tek parashikimi se si do të jetojnë, punojnë dhe luajnë njerëzit.

Nga ana tjetër ekspertët, po bëjnë projeksione mbi zhvillimet që ka vënë në lëvizje koronavirusi i ri. Në Shtetet e Bashkuara, shumica e parashikuesve, qoftë në Wall Street apo në Washington, janë fiksuar mbi atë që do të ndodhë në një periudhë afatshkurtër:pra mbi gjasat e rritjes më të lartë ekonomike të SHBA-së pas vaksinimit masiv (që do të shtojë shpenzimet e konsumatorit), dhe një pakete të re të rimëkëmbjes prej 1.9 trilionë dollarë.

Fatmirësisht, dy ekonomistë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë vendosur një farë ekuilibri në këtë garë parashikimesh. Duke ofruar një perspektivë afatgjatë, Philip Barrett dhe Sophia Chen theksojnë se ndikimi politik i pandemisë nuk ka ndodhur ende.

Siç e theksuan ata dhe Nan Li në një postim në blog në fillim të shkurtit, “historia është e mbushur me shembuj të shpërthimeve epidemike, që shkaktojnë më vonë pasoja sociale”. Në përgjithësi, pasojat sociale nga tragjedi të tilla të mëdha nuk shfaqen për vite me radhë.

Dhe s’ka asnjë arsye të mendojmë se pandemia e koronavirusit, do të jetë një përjashtim. Duke ndjekur modelin historik, bllokimet aktuale, lëvizshmëria e kufizuar dhe shfaqjet e unitetit kombëtar të shkaktuara nga kriza, vetëm sa kanë fshehur efektet e plota të pandemisë.

Megjithëse kërkimi i ekonomistëve të FMN-së është në vazhdim e sipër, çdo analist i inteligjencës që është marrë me parashikimin e ngjarjeve politike, do t’ju këshillojë që ta ndiqni atë. Gjetjet e tyre, pasqyrojnë të dhënat e mbledhura në 569 episode të trazirave sociale në 130 vende të botës gjatë viteve 1980- 2020, si dhe rreth 11.000 epidemi ndërkombëtare dhe katastrofa natyrore që nga viti 1990.

Po çfarë mund të na tregojnë 30-40 vitet e kaluara, në lidhje me kërcënimet e mundshme të stabilitetit në të ardhmen? Epidemitë nuk janë të favorshme për organizimin e protestave, dhe edhe regjimet autoritare hezitojnë t’i përdorin ato për të shtrënguar presionin.

Sidoqoftë, Barrett, Chen dhe Li tregojnë se çfarëdolloj efektesh zbutëse që mund të ketë shpërthimi epidemik i një sëmundjeje në fillim, ai sjell një “rrezik të shtuar të një krize të madhe qeveritare, një ngjarje që kërcënon të rrëzojë qeverinë, dhe që ndodh zakonisht brenda 2 vitesh pas një epidemie të rëndë”.

Një tjetër paralajmërim mbi destabilitetin politik dhe social, vjen nga grupi global i konsulencës “Verisk Maplecroft”, që përdor metrika të ngjashme për të vlerësuar gjasat e shfaqjes së protestave në gjithë botën. “Indeksi i trazirave civile” të kësaj kompanie, gjurmon shkaqet dhe rezultatet e trazirave në 198 vende, duke vlerësuar rreziqet për bizneset në nivelin shtetëror dhe atë lokal.

Në dhjetor, indeksi sinjalizoi gjasat në rritje të shfaqjes së protestave në 75 vende të botës – përfshirë SHBA – brenda vitit 2022. Ashtu si ekonomistët e FMN-së, edhe “Verisk Maplecroft”, nuk mendon se pandemia është shkaku direkt i rritjes së rrezikut të paqëndrueshmërisë.

Përkundrazi, ajo i ka përkeqësuar tensionet e mëparshme shoqërore dhe politike. Një rritje e destabilitetit, shkruajnë analistët e saj, “do të ndodhë në sfondin e një rimëkëmbje të dhimbshme ekonomike pas pandemisë, e cila ka të ngjarë të shtojë akoma më tej pakënaqësinë ekzistuese të publikut ndaj qeverive”.

Pra, burimet e protestës, si rritja e kostove të jetesës dhe thellimi i pabarazive, kanë më shumë të ngjarë të vlojnë, sapo rihapja ekonomike të jetë e plotë. Paralelet historike, nuk janë arsyeja e vetme për t’u shqetësuar për pasojat e pandemisë mbi stabilitetin shoqëror dhe politik.

Një vështrim nga afër kërkojnë edhe pasojat nga dështimet e fundit të politikës dhe qeverisjes. Fushata e vaksinimit është një rast i veçantë. Pavarësisht nga përparimi i dukshëm në Amerikën e Veriut dhe vende si Izraeli dhe Britania, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se thuajse 130 vende nuk kishin shpërndarë asnjë dozë të vetme deri nga mesi i muajit shkurt.

Afrika që nisi vaksinimet e saj të para kundër Covid-19 vetëm këtë muaj, ka mbetur shumë mbrapa në mbrojtjen e popullatës së tij. Dhe pa vaksinime, Covid-19 do të vazhdojë të kufizojë ekonomitë e Afrikës, dhe të rinjtë e saj të papunë do të bëhen burim i destabilitetit politik, sikurse po ndodh në Amerikën Latine dhe pjesën më të madhe të Azisë.

Ndërkohë, ekzistojnë edhe sfida më të mëdha që duhen monitoruar. Tetorin e vitit të kaluar, Banka Botërore parashikoi se pandemia do të shtynte drejt varfërisë ekstreme rreth 115 milion njerëz vetëm në vitin 2020. Dhe parashikimet e fundit, thonë se rreth 85 vende në zhvillim mund të mos kenë vaksina të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë e tyre për 2apo 3 vitet e ardhshme.

Për këtë arsye, Banka paralajmëron një rënie globale të “prosperitetit të përbashkët”. Pra, pandemia ka thelluar më tej hendeqet tashmë të hapura ekonomike, gjë që do të ndikojnë në mënyrë disproporcionale në vendet ku tensionet etnike, klasore dhe kastë ishin tashmë të larta. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Kent Harrington, ish-analist i lartë i CIA-s. Ka shërbyer si oficer i inteligjencës kombëtare për Azinë Lindore, dhe ka qenë drejtori i CIA-s për çështjet publike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here