“S’i jepnin role se kundërshtonte ministrat”, regjisori flet për Guljelm Radonë

0

Mëngjesin e sotëm u shua në spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë aktori i madh Guljelm Radoja, i cili numëron dhjetra role në kinematografi dhe në teatrin shqiptar. Regjisori Kastriot Çipi ka dhënë detaje rreth gjendjes së tij, si dhe qëndrimeve të forta qytetare që ai ka mbajtur në çështje të ndryshme.

Çipi tha se e kishte takuar Radonë teksa ndodhej i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, ku po mbahej me oksigjen, ndërkohë që tha se prej kohësh nuk merrte role, pasi kundërshtonte ministrat që ishin në qeveri të ndryshme.

“Është një dozë helmi që e kam marrë pak nga pak çdo ditë, unë e mora me vonesë lajmin që ishte sëmurë, shkova ta takoj në spitalin e Durrësit, nuk ishte në gjendje që të fliste, dhe nuk mund të merrte frymë pa maskën e oksigjenit.

Ishte një lajm që e prisja prej dy javësh, që në momentin kur maska e oksigjenit nuk i ndahej, kam pasur një miqësi shumë të gjatë me të, prej vitit 1993, nuk kemi pasur kurrë pakënaqësi me njëri tjetrin, ishte një burrë me shpirtin e një fëmije.

Për mua ka qenë një nga njerëzit më të rrallë, në komunitetin e artistëve, për të mos thënë më i ndershmi. Unë kisha dhe kam bindjen absolute që shqiptarët do të dhuronin për të, pasi ai nuk ishte vetëm një mik i imi, por i të gjithëve. Po është e vërtetë, Gujlemi thoshte atë që mendonte për çdo ministër, dhe ne e dimë që nëse nuk të do drejtori është e vështirë që të luash.

E ka paguar me kosto personale dhe të karrierës qëndrimet e tij qytetare, në momentet më kritike të çështjes së teatrit ka ardhur në Tiranë dhe ka mbajtur fjalime të mrekullueshme. Unë kështu e kam njohur që në vitin 93, më mirë rrinte në një qoshe, ka humbur dhe shtëpinë që ka jetuar prej 60 vitesh”, u shpreh Çipi

Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, ndërkohë që prej vitesh jetonte në qytetin bregdetar të Durrësit.

Rolet:

Dashuria s’mjafton (2019) Babai i Albanit
Në kërkim të kujt (2011) serial
Der Albaner (Shqiptari) – (2009)
Kronikë provinciale (2009)
Njerez dhe Fate – (2001-2003) mini-seri
Unë ti dhe Kasandra – (1999) (TV)
Dasma e Sakos – (1998) , Sako
Kolonel Bunker – (1998)
Dashuria e fundit – (1995)
Nekrologji – (1994)
Vdekja e burrit – (1992)
Kthimi i ushtrisë së vdekur – (1989) ….Prifti
Flutura në kabinën time – (1988) …Marku
Eja! – (1987) …Lirimi
Vrasje në gjueti – (1987) …Pertefi
Asgjë nuk harrohet – (1985) ….Peshkatari
Mondi dhe Diana – (1985) ….Babai i Mondit
Të paftuarit – (1985)
Vendimi – (1984) …. Leçiano
Kush vdes në këmbë – (1984) ….Petro Luarasi
Gracka – (1983) ….Refiku, radisti
Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV) ….Rexhepi
Rruga e lirisë – (1982), Aleksi
Nëntori i dytë – (1982) ….Lym Kepi
Gëzhoja e vjetër – (1980) ….Servet Saraçi
Goditja (1980) – (TV) …Agimi
Dorina (1979) – (TV) …Viktori
Mësonjtorja – (1979) ….Stefan Bardhi
Gjeneral gramafoni – (1978) ….Zoti Alberto
Në pyjet me borë ka jetë – (1978) ….Inxhinieri
I treti – (1978), Major Kelli
Shembja e idhujve – (1977), arkeologu
Zani partizani – (1976) (TV) …. Komisari
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – (1976) ….prifti
Dimri i fundit – (1976) ….Togeri gjerman
Në fillim të verës – (1975), Tenente Aleko Gurabardhi
Shtigje lufte – (1974), Tafa, fotografi
Gjurma – (1970), inxhinier

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu