Si u goditën natën vrasësit me pagesë. Gazetari Artan Hoxha: U tmerrova

0

 

Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC zbuloi detaje të reja në lidhje me hetimet që zbuluan 18 bazat ku magazinoheshin dhe modifikoheshin armatime të ndryshme luftarake në Tiranë nga grupe të rrezikshme kriminale që kryenin vrasje me pagesë.

Hoxha tha se goditja është bërë natën njëkohësisht në të gjitha bazat për të mos u dhënë mundësinë kriminelëve që ishin në vëzhgim që të largoheshin. Gazetari Hoxha tregoi më pas si u zbuluan bazat dhe se grupet kriminale rekrutonin profesionistë që kanë punuar në uzinat ushtarake për modifikimin e armëve.

“Policia e Tiranës ka kryer një aksion shumë të suksesshëm dhe gjej rastin ta përgëzoj, gjatë muajve të fundit ka pasur disa aksione të suksesshme. Ndërhyrja është kryer gjatë natës nga forcat operacionale mbështetur nga RENEA, sepse do të goditeshin shumë baza njëherësh, që personat që ishin nën vëzhgim të mos largoheshin.

Nga armët e modifikuara deri te snajperët e vitit të fundit dhe kundërtank, tregon sa armatim të madh ka krimi i organizuar. Gjithë ky arsenal i është hequr nga dora krimit të organizuar. Unë jam tmerruar nga pamjet, armët jo vetëm ishin shumë por të sofistikuara. Ato janë në dorën e krimit, që është armatosur deri “në dhëmbë”.

Gjithë teknika që përdor një repart special për të goditur krimin, ne pamë që përdorej nga krimi. Hetimi ka filluar në 24 shkurt me zbulimin e grupit që vendosi tritolin ndaj biznesmenit Gjon Mena, u arrestua Gjergj Cukali dhe dy kushërinjtë Jamaku, që ishin joshur me 30 mijë euro për të vendosur minën te makina e biznesmenit.

Policia kapi këta të dy që zbërthyen të gjithë rrjetin. U nxorën nga qarkullimi një grup vrasësish me pagesë. Këto armë janë përdorur në disa atentate, në 19 tetor u vendos një minë e telekomanduar poshtë makinës së Artan Bylykut.

Autorët pas shpërthimit u kthyen për të kuptuar cfarë ndodhi dhe nuk ishin kapur nga policia. Hetimi i atentatit të 8 shkurtit të këtij viti në Kamëz, zbuloi një zinxhir të tërë, vetëm tornitorët, modifikuesit që janë kapur sot, që modifikojnë tytat e armëve.

Arrijnë të gjejnë profesionistë që kanë punuar në uzinat ushtarake për krimin e organizuar. Arrestimet dhe shpallja në kërkim tregoi lidhjet, pasi tregoi se kishte njerëz me shumë pushtet. Kur ka vullnet, shanset janë që betejën ta fitojë e mira. Por lufta vazhdon, kjo ishte thjeshtë beteja e radhës” tha Artan Hoxha.

Por cfarë ndodhi sot?

18 baza ku magazinoheshin dhe modifikoheshin armatime të ndryshme luftarake nga grupe të rrezikshme u zbuluan nga policia e Tiranës. Janë arrestuar 5 persona dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuar nga operacioni i koduar “kompleks” janë: Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa.

Ndërsa në kërkim janë shpallur Akil Kulla dhe Sokol Xhura, ky i fundit, i larguar jashtë vendit pak javë më parë. 43-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia është vëllai i ish-kreut të minibashkisë nr.4 në Tiranë, Hysen Xhura dhe sipas policisë janë pronarët e kompleksit “Xhura” në kryeqytet.

Dëshmia e Enver Jamakut, i arrestuar pak javë më parë si autor i tritol-vënies në makinën e Gjon Menës në Kamëz, ndihmoi hetuesit që të zbardhnin edhe tre ngjarje të tjera kriminale, ku ai dhe kushëriri Ermond Jamaku kanë qenë të përfshirë.

Policia ka dyshime se tre të ndaluarit, Prenga, Deda dhe Abazi në bashkëpunim edhe me dy kushërinjtë Enver dhe Ermond Jakimi janë autorë të tentativës së vrasjes me eksploziv të telekomanduar në makinën e Artan Bylykut, kunatit të Domart Konjarit. Ngjarje kjo e ndodhur më 19 tetor të 2019-ës në Tiranë, ndërsa ABC publikoi pamjet ekskluzive të momentit.

Dy kushërinjtë Jakimi, së bashku me të shpallurin në kërkim Sokol Xhura dyshohet të jenë autorë të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, ngjarje e ndodhur më 10 shtator të 2017-ës, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.

Gjithashtu, të arrestuarit dyshohet se janë autorë edhe të vendosjes së eksplozivit, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një sasie heroine në banesën e Edmond Saraçit. Ky i fundit u arrestua më 15 shtator 2017 në Tiranë, si një autorët e sulmit të avokatit Papleka

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu