U ekzekutua në praninë e gruas së tij, urdhëri për vrasjen e Everest Çakës ka ardhur nga…(Detaje)

0

Shtetasi Everest Çaka kishte më tepër se një muaj që ishte kthyer nga jashtë vendit. Ai jetonte mes Shqipërisë dhe Holandës dhe pikërisht aktivitetet që viktima kryente atje dyshohet se i morën jetën një natë më parë, në një atentat të organizuar, që dyshohet se ka përfshirë sërish vrasës me pagesë.

Me 15 plumba të kalibrit 9 mm, dhe i qëlluar ngado mizorisht dhe brutalisht, kështu e përshkroi me pak fjalë eksperti i policisë së Elbasanit viktimën, menjëherë sapo grupet e hetimit mbërritën në vendngjarjen e radhës.

Pa mundur të dalë nga makina, vetëm një minutë pasi një mjet tip “Benz” e goditi nga pas, drejtuesi, në këtë rast Everest Çaka, frenoi menjëherë dhe tentoi të zbresë. Por vrasësit, që improvizuan një aksident enkas për t’i ulur shpejtësinë shënjestrës së tyre, gjakftohtë zbritën nga makina dhe pasi e kapën në befasi e qëlluan në sy të gruas, e cila po ashtu mbeti e dëmtuar lehtë në njërën prej gjymtyrëve.

Mjeti tip “Benz” i përdorur nga autorët, u gjet i djegur shumë larg skenës së krimit, ndërsa nga verifikimet, konfirmohet se makina ishte e vjedhur në zonën e Shkodrës,

Pak përpara vrasjes

Për 41-vjeçarin, e djeshmja ishte një ditë vizitash. Së bashku me të shoqen ai mori mjetin tip “Opel” me targa AB.. ..Ab dhe nga lagjia ku jeton në qendër të qytetit, u nis për në Fushë Mbret. “Shkuam për vizitë tek im atë, qëndruam aty gati një orë e gjysmë. Bisedë normale dhe pa asnjë shqetësim”, – i përshkroi orët e fundit të jetës së bashkëshortit gruaja, një dëshmitare okulare që pa me sy eliminimin e familjarit të shtrenjtë.

Mes të tjerash, Çaka ka thënë para grupit hetimor se autori iu afrua makinës së tyre dhe qëlloi me breshëri ndaj bashkëshortit. Sipas saj, plumbat e kanë kapur 41-vjeçarin në krahë, qafë dhe gjoks. Ajo ka shtuar se doli menjëherë nga makina për të kërkuar ndihmë te banorët që ndodheshin aty. Por hetuesit janë të sigurt, se vrasja e Everest Çakës është me detaje e organizuar dhe me shumë gjasë bën sërish fjalë për çështje droge. Kjo është pista e parë, nisur nga dyshimet mbi aktivitetin e viktimës mes Spanjës dhe Holandës dhe të dhënave se ai merrej me drogë – deklaroi paraprakisht për GazetaSi.al, njëri nga zyrtarët e Policisë së Shtetit.

Rrethana e dytë, e lidh shënjestrën me atë që quhet si grupi i Alibeajt dhe vazhdën e gjakut që kanë përshkruar një seri ngjarjesh në qytetin e Elbasanit. Erjon Alibeaj është një nga personazhet e arrestuar nga policia si personi që “kërciti gishtat”, duke urdhëruar dy vrasje të njëpasnjëshme mafioze, atë të Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit.

Shënjestra e përfolur për vrasje, të cilat asnjëherë nuk u vërtetuan, ka humbur po ashtu në një atentat në Belgjikë kushëririn e parë, Arjan Spahiu, i cili u ekzekutua shtatë muaj më parë në Belgjikë dhe që sipas dyshimeve, edhe kjo vrasje lidhet me pazare droge.

Para 10 ditësh, Çaka është marrë në pyetje nga prokurorë belg që kishin mbërritur në Elbasan, të cilët po hetojnë për zbulimin e vrasjes së kushëririt të tij. Para disa vitesh, Çakës i është ekzekutuar edhe i vëllai në Barcelonë.

“Në këtë panoramë të ndërlikuar lidhjesh të shumëfishta krimesh dhe larje hesapesh, nuk është çudi që vrasja e Everest apo Ibrahim Çakës të jetë urdhëruar nga Dubai, vend i kthyer në vendstrehimin e mjaft kriminelëve shqiptarë. Një i dyshuar me inicialet H.B., dhe që mendohet se jeton në Dubai, është një ndër kundërshtarët e grupit Alibeaj, ku palë është edhe viktima e ditës së kaluar, ndaj ka dyshime se vrasja është porositur prej andej,”- tha në anonimitet një burim policor i sigurt i GazetaSi.al.

Ky personazh që jeton në Dubai, është mes njerëzve të rëndësishëm të botës së krimit shqiptar, që dyshohet se kryen aktivitete jashtë vendit.

Vrasja e të vëllait dhe saga e krimeve që vijuan

Everest alias Ibrahim Çaka, ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit të autobusit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur tek zona e Doganës në Elbasan 11 vite më parë. Disa vite pas vrasjes së këtij të fundit, është vrarë Florenc Alikaj ose “Lenc Kokëmadhi”, i cili sapo kishte dalë nga burgu në Spanjë, ku ishte dënuar për trafik droge. Ndërkohë, Çaka, 11 vite më parë ka humbur vëllain e tij në Spanjë, i cili njihej në Elbasan me nofkën “Noçe”, dhe për këtë vrasje dyshohet se është autor “Nel Çami”.

Si kundërpërgjigje të vrasjes së “Noçes”, qëllohet me armë dhe plagoset Bujar Mahmuti, vëllai i “Nel Çamit”. Po ashtu, Everest Çaka, është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, janë qëlluar me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti. Këta të fundit ishin vëllezërit dhe babai i “Nel Çamit”.

Vrasja e dy djemve dhe babait të tyre, është kryer në sy të Myzejen Qoses, bashkëshortes së Pëllumbit, e cila ka parë të gjithë ngjarjen dhe në ikje e sipër autori është përleshur me të, duke e qëlluar me një plumb afër syrit, por fatmirësisht gruaja ka shpëtuar.

Për këtë ngjarje kriminale, ku u asgjësua plotësisht familja Mahmuti, Policia e Elbasanit vuri në dispozicion 50 mijë dollarë shpërblim për këdo që do të jepte informacion mbi autorët. Në banesën e familjes, Mahmuti, policia dhe prokuroria në vitin 2011 kanë mundur të sigurojnë një profil ADN-je në dorezën e derës hyrëse të shtëpisë.

Ky element besohet se i përket autorit të krimit, i cili ka vepruar i vetëm brenda në banesë. Po ashtu, në murin rrethues të shtëpisë (avlli) nga ka kapërcyer autori, për të hyrë në brendësi të shtëpisë, është sekuestruar dhe një kapelë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu