Zbardhet dëshmia e vrasësit të Behar Sofisë: S’kisha prekur armë me dorë, bëra qitje në Kërrabë. Plumbi i parë nuk shkrepi, më pas unë…

0

 

Personi që dyshohet se ka qëlluar për vdekje biznesmenin Behar Sofia, 24-vjeçari Ernejt Shyti, rezulton se të paktën një muaj ka vëzhguar me detaje të gjitha lëvizjet 66-vjeçarit. Ndërsa Skënder Vathi, i cili konsiderohet si organizator i këtij krimi të rëndë e kishte shoqëruar disa herë Ernejt Shytin me qëllim që ta njihte nga afër viktimën.

Policia dhe Prokuroria thonë se logohen të gjithë telefonat që mbanin personat e dyshuar në të njëjtin vend. Ndërkohë që, përveç faktit që Skënder Vathi dhe Leonar Xhixha e kishin shoqëruar me automjetin e tyre të dyshuarin Ernejt Shyti që ta njihte viktimën, edhe vetë ata kanë vëzhguar lëvizjet e Sofisë. Një ditë përpara se Behar Sofia të ekzekutohej, në një kamera sigurie shfaqet organizatori Skënder Vathi i cili qëndron në një tavolinë larg disa metra nga Behar Sofia, i cili sapo kishte kaluar COVID-19 dhe kishte filluar të lëvizte.

Në dëshminë e siguruar nga “News 24”, Ernejt Shyti jep detaje para hetuesve për njerëzit që kishin organizuar krimin dhe e kishin rekrutuar për të kryer vrasjen, madje thekson se Skënder Vathi fillimisht ia kishte kërkuar që krimin ta kryente Xhuliano Visha, por ai nuk kishte pranuar sepse e kishte vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën dhe kishte dyshime se 66-vjeçari Behar Sofia mund ta njihte dhe identifikonte atë dhe mund t’i shmangej e kështu të mos realizohej plani.

DESHMIA E ERNEJT SHYTIT

“Me Xhuliano Vishën njihem prej shumë vitesh, sepse jemi nga e njëjta zonë dhe ne jemi miq të ngushtë. Një muaj para se të ndodhte ngjarja Xhuliano Visha më kërkoi të takoheshim dhe më premtoi afro 50 mijë euro me qëllim që unë të vrisja një person.

Ai më solli pistoletën dhe foton e personit që duhet të vrisja, të cilit unë nuk ia dija emrin, por më thanë se duhet ta thërrisja me një nofkë që ata më dhanë. Duke qenë se nuk kisha prekur asnjëherë armë me dorë, bashkë me Xhuliano Vishën shkuam në zonën e Kërrabës, prej nga jemi me origjinë dhe bëmë disa herë qitje.

Skënder Vathi fillimisht kishte kërkuar që krimin ta kryente Xhuliano Visha, por ai nuk kishte pranuar sepse e kishte vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën dhe kishte dyshime se 66-vjeçari Behar Sofia mund ta njihte dhe identifikonte atë dhe mund t’i shmangej e kështu të mos realizohej plani. E kemi ruajtur për afro 1 muaj viktimën dhe të gjitha lëvizjet e tij.

Leonard Xhixha, të cilin unë e kam njohur përmes Xhuliano Vishës, ishte caktuar që të ruante lëvizjet e viktimës dhe do duhej që të më njoftonte mua në momentin që ai të dilte nga shtëpia.

Unë kam lëvizur për ditë të tëra me radhë me pistoletën në xhep me qëllim që ta ekzekutoja 66-vjeçarin. Me ta komunikoja me një celular që më dha Skënder Vathi dhe në këtë celular unë kisha kontaktet e këtyre tre personave, Skënderit, Leonardit dhe Xhulianos. Ditën e ngjarjes unë dola nga banesa ime që ndodhet midis rrugës ‘Bardhyl’ dhe zonës së ‘Brrylit’ me biçikletën që kisha vjedhur dhe u nisa drejt vendit ku ishte vendosur të ekzekutohej Behar Sofia. Jam afruar aty dhe në momentin kur Leonari më dërgoi mesazh se personi që duhej të vrisja sapo kishte dalë nga banesa, unë iu afrova dhe e qëllova. Plumbi i parë nuk shkrepi, më pas unë kam qëlluar dhe dy herë të tjera dhe me nxitim jam larguar.

Me biçikletën që kisha vjedhur kam shkuar afër kodrave të liqenit, kam lënë aty rrobat dhe më pas jam larguar në drejtim të Kërrabës, ku edhe kam qëndruar. Atje kam marrë një taksi dhe jam nisur në drejtim të Malit të Zi, të nesërmen pas ngjarjes. Në Mal të Zi unë punoj si punëtor krahu dhe në momentin që u arrestova isha duke shtruar pllaka në aeroport”.

 

4 te arrestuarit

1. Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, në rolin e ekzekutorit

2. Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë-Krujë dhe banues në Tiranë, në rolin e organizatorit

3. Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë, në rolin e ndihmësit dhe vëzhguesit

4. Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, në rolin e ndërmjetësuesit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu