Zgjedhje 2021/ LSI ruan rezultatin e 2017 vetëm në Shkodër

0

 

Zgjedhjet e 25 prillit kanë sjellë një tkurrje të madhe të elektoratit për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në krahasim me katër vitet e kaluara, LSI ka humbur rreth 50% të votave ndërsa në mandate tkurrja do të jetë edhe më e rëndë pasi në disa qarqe pavarësisht se ka siguruar shumë vota nuk arrin të sigurojë një mandat.

Nga 14.28% dhe 19 mandate, nga numërimi i mbi 90% të votave, LSI ka shkuar në vetëm 5 mandate.

Kaq mandate sa LSI do të ketë në Parlamentin e ri, në zgjedhjet e kaluara i kishte vetëm në Qarkun e Tiranës.

Në Tiranë, nga 5 mandate në 2017, këtë herë LSI duket se do të ketë me vetëm dy deputetë.

Nga dy mandate në Berat, më 25 prill nuk siguroi asnjë deputet, ndërsa në Durrës siguroi vetëm një nga dy që kishte katër vite më parë.

Në Elbasan, LSI nga 14.4% ka rënë në 4.4% duke bërë që të mos ketë asnjë deputet nga dy që siguroi në 2017.

Në Qarkun e Fierit, LSI ka arritur të ruajë vetëm një mandat nga dy që kishte në zgjedhjet e kaluara. Ka humbur mandatet që kishte në Dibër, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.

Zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet e para parlamentare ku LSI hyn me kryetare Monika Kryemadhin, detyrë që e mori në korrik 2017.

Pas votimit të Ilir Metës si president në fund të prillit 2017, ai dha dorëheqjen si kryetari i LSI duke lënë përkohësisht si drejtues të partisë zv.kryetarin Petrit Vasili.

Qarku 2017/2021

Berat 2/0

Dibër 1/0

Durrës 2/1

Elbasan 2/0

Fier 2/1

Gjirokastër 1/0

Korçë 1/0

Kukës 0/0

Lezhë 1/0

Shkodër 1/1

Tiranë 5/2

Vlorë 1/0

*Dibra dhe Gjirokastra kanë nga një mandat më pak në krahasim me 2017, këto mandate i janë shtuar Tiranës.

30 Qershor 2017

PS – 74 mandate / 48.34%

PD – 43 mandate / 28.85%

LSI – 19 mandate / 14.28%

PDIU – 3 mandate / 4.81%

PSD – 1 mandat / 0.95%

25 Prill 2021

PS – 73 mandate / 48.61%

PD – 59 mandate / 39.38%

LSI – 5 mandate / 6.92%

PSD – 3 mandate / 2.25%

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu