Bota që krijoi 11 Shtatori: Zbehja e superfuqisë amerikane

0

Nga Ishaan Tharoor, The Washington Post

Pasojat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, shënuan kulmin e një momenti të veçantë amerikan në skenën botërore. Shtetet e Bashkuara, ishin jo vetëm triumfueset e Luftës së Ftohtë, por një superfuqi e plagosur “njëpolare”,të gatshme të vendosnin drejtësinë në një shkallë globale.

Armiku nuk ishte një fuqi hegjemone rivale, por një koncept i paqartë (“terrorizmi”), të cilin lidershipi amerikan e lidhi si me një rrjet ekstremistësh islamikë, ashtu edhe me regjime autokratike kundërshtare. Rezultatet ishin pushtimet e kushtueshme të Afganistanit dhe Irakut, zgjerimi i madh i aparatit të sigurisë në SHBA, dhe një vetëdije e re globale mbi limitet e fuqisë amerikane.

Në lulëzimin e plotë të mandatit të saj pas sulmeve të 11 Shtatorit, administrata e George W. Bush shpërfilli shqetësimet në rritje të disa aleatëve evropianë, lidhur me pushtimin e saj në Irak dhe kritikat e zyrtarëve të lartë në Kombet e Bashkuara .

“Ne jemi tani një perandori, dhe kur veprojmë krijojmë realitetin tonë”- tha për “New York Times Magazine” në vitin 2004 në kushte anonimati një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, që besohet gjerësisht se është strategu republikan Karl Rove. “Ne jemi aktorët e historisë … dhe gjithë ju të tjerëve ju mbetet të studioni atë që bëjmë ne”.

Dy dekada pas 11 Shtatorit, ajo trashëgimi e krenarisë është tashmë për Uashington një barrë e rëndë nga e cila administratat e njëpasnjëshme janë përpjekur por nuk kanë arritur që ta heqin nga shpina.

Pavarësisht tërheqjes kaotike të SHBA-së muajin e kaluar nga Afganistani, sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e publikut amerikan e mbështet ende tërheqjen e trupave nga Afganistani. Pak politikanë seriozë në secilën prej partive kryesore të vendit, bëjnë thirrje për ndërhyrje të reja ushtarake jashtë shtetit.

Ndërkohë një numër në rritje ligjvënësish dëshiron që të frenojë kompetencat e Shtëpisë së Bardhë për të zhvilluar luftëra të reja. Ish-presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë në përgjithësi jashtë konflikteve të huaja, sidomos nëse janë ato që duhet të paguajnë faturën kryesore të fushatës.

Presidenti Biden, ashtu si Trump para tij, ka tentuar të lërë pas epokën e 11 Shtatorit, duke ripërtërirë ambiciet e politikës së jashtme të Amerikës rreth sfidës së Kinës. Koncepti i “konkurrencës së fuqisë së madhe” është sërish në modë.

Në kryeqytetet e huaja, nga Evropa në Azi, zyrtarët po e pranojnë se kuptimet e vjetra përreth Pax Americana po zbehen. Disa po e humbasin besimin tek Shtetet e Bashkuara. Të tjerët ndiejnë se kanë përpara shanse të reja në arenën gjeopolitike.

Sidomos Lufta e Irakut, e minoi pozitën e Amerikës në botë. Në shtatorin e vitit 2002, gjysmë viti para pushtimit, ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela e dënoi unilateralizmin “arrogant” të administratës së Bushit. “Ne jemi vërtet të tmerruar nga çdo vend, qoftë ky një superfuqi apo një vend i vogël, që sillet jashtë rregullave të Kombeve të Bashkuara dhe sulmon vendet e pavarura”- tha ai.

Sipas sondazhit të organizatës Pew, popullariteti i Shteteve të Bashkuara në botë ra ndjeshëm pas atij pushtimi, për t’u rikuperuar vetëm me zgjedhjen president të Barack Obamas, që ndërmori një fushatë kundër Luftës në Irak.

Obama i tërhoqi forcat amerikane nga atje. Por ai ishte ende në krye të SHBA-së kur dështimi i shtetit në Irak dhe Siri shkaktoi ngritjen e Shtetin Islamik dhe valë të reja të trazirave dhe dhunës.

Projekti amerikan në Irak u bë një ogur paralajmërues për atë që do të vinte. Përpjekja e perandorisë për të krijuar një realitet të ri, siç mburrej dikur zyrtari i Bush, ishte një mashtrim. “Pushtimi dhe pasojat e tij kaotike, të dhunshme dhe destabilizuese e shkatërruan idenë se Shtetet e Bashkuara janë të domosdoshme, dhe një forcë në dobi të demokracinë”-u shpreh Steven A.Cook, anëtar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, për Today’s WorldView.

“Sikur të mos ishte pushtuar Iraku, miti i jashtëzakonshmërisë amerikane brenda dhe jashtë vendit, do të kishte vazhduar për shumë më gjatë në mesin e elitave”-theksoi ai. Në vend që të jenë në “sediljen e përparme të historisë”, elitat politike amerikane janë më të vetëdijshme se edhe ato janë ulur në vendin e “pasagjerit”.

Ndërhyrjet ushtarake të kushtueshme dhe të përgjakshme në Afganistan dhe Irak,ndodhën bashkë me një krizë financiare epokale që e tronditi ekonominë globale. Shtetet e Bashkuara u rimëkëmbën më mirë se shumë vende të tjera të zhvilluara.

Por gjithsesi,shumë politikanë amerikane nisën të ishin më të shqetësuar mbi nevojën e ripërtëritjes dhe rindërtimit të vendit, sesa për ndërhyrjet jashtë vendit. “11 Shtatori e zhbëri pretendimin e SHBA-së se është një fuqi globale e domosdoshme”- shkroi Stephen Wertheim nga Fondacioni Karnexhi për Paqen Ndërkombëtare.

Por Shtetet e Bashkuara duket se janë ende gati për një përballje tjetër. Administrata e Biden po përpiqet ta drejtojë fokusin kryesor në Azi -aty ku e sfidon Kina -gjë të cilën e tentuan edhe paraardhësit e Biden, por që nuk mundën ta arrinin.

Shumë analistë i kanë kritikuar shpenzimet e mëdha dhe fokusin mbi antiterrorizmin gjatë2 dekadave të fundit, si një shpërqendrim të pafajshëm nga sfidat reale të shekullit XXI. “Ne investuam triliona dollarë në përmirësimin e forcave tokësore dhe atyre kundër terrorizmit apo rebelimeve, të cilat nuk mund të përdoren në sfidat në det dhe ajër që na presin në Paqësor”- thotë Gregory Poling, anëtar i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Kush e di se si mund të dukej marina jonë tani, po të mos kishim shpenzuar triliona dollarë në ushtrinë tokësore në 20 vitet e fundit? Investimet në marinë sapo kanë filluar, por ato duhet të kishin filluar 20 vjet më parë, duke pasur parasysh modernizimin e marinës detare të Kinës”- theksoi ai.

Dështimet e Amerikës në Lindjen e Mesme, përforcuan narrativën e preferuar në Pekin rreth rënies së supozuar dhe të pashmangshme të Shteteve të Bashkuara në skenën botërore. “Kina ka qenë në gjendje të përfitojë nga mundësia për të shfrytëzuar kohën për të ndërtuar forcën e saj”-shkroi Yun Sun, anëtar i Qendrës Stimson.

“Pas 11 Shtatorit, balanca e fuqisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ka shumë të ngjarë të kishte evoluar në të njëjtin drejtim. Gjithsesi, burimet, fokusi dhe koha që Shtetet e Bashkuara shpenzuan në luftën kundër terrorizmit sigurisht që e përshpejtuan këtë ndryshim”-shtoi ai.

Ky ndryshim po rëndon shumë mbi një brez të tërë të politik-bërësve amerikanë. “Sa i përket ndikimit gjeopolitik, Partia Komuniste Kineze ka qenë përfituesja më e madh e luftës kundër terrorizmit”-shkroi Ben Rhodes,ish-këshilltari i Obamës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu