Dëbora bllokon Thethin/ Në zonat e thella janë shumë turistë që nuk mund të kthehen

0

Prej katër ditësh i gjithë qarku i Shkodrës është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu në 5 bashkitë, ndërsa në zonat malore nuk kanë munguar reshjet e dëborës.

Pika turistike e Thethit, e cila shpreson që me rrugën e re, këtë vit për herë të parë të ketë sezon turistik edhe gjatë dimrit, u bllokua në fundjavë. Të shtunën, makinat e dhjetëra turistëve mbetën në Qafën e Thores për shkak të dëborës dhe nxjerrja e tyre u bë vetëm përmes banorëve të zonës. Ndërkaq edhe këtë të hënë, reshjet u rikthyen në këtë pikë duke bërë të pamundur lëvizjen e makinave të vogla. Pastrimi i dëborës po bëhet nga banorët me mjetet e tyre private.

Probleme për shkak të motit të keq, ka edhe në Kelmend të Malësisë së Madhe, në pikat turistike të Vermoshit dhe Lëpushës. Era e fortë dëmtoi rrjetin dhe për pasojë sot është dita e katërt që e gjithë zona është në errësire. Turistet në fundjavë u detyruan të ktheheshin pas, pavarësisht rezervimeve. Këtë të hënë edhe në Kelmend u rikthyen reshjet e dëborës, ndërkaq një borëpastruese po bën të mundur mbajtjen hapur të aksit rrugor nga Tamara për në Lëpushë dhe Vermosh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu