“Disa rreshta për Sali Berishën, në ditën më të zezë të tij”

0

 

Sot, është e lehtë të jesh kundër Sali Berishës e ta sulmosh atë. Unë s’e kam njohur kurrë nga afër, sepse kam lindur kur ai ka ardhur në pushtet. Unë kam qenë foshnje kur pushteti i tij në emër të “antikomunizmit Amerikan”, la pa punë prindërit tanë ndonëse asgjë nuk i lidhte me komunizmin. Unë isha fëmijë kur ai burgosi kryetarin e opozitës së kohës në emër të “pro-amerikanizmit” për të çimentuar pushtetin e tij. Isha në kopsht kur vodhi zgjedhjet e para “demokratike”, po në emër të “pro-amerikanizmit”.

Si fëmijë që isha, mbaj mend: gjëmimet, të shtënat, bandat dhe krimet e vitit 1997 të cilët ish-aleatët e tij “amerikanë” e dërguan në opozitë, duke sjellë në pushtet kryetarin e opozitës që rrinte në burg prej 4-vitesh. Me Berishën në opozitë, socialistët prodhuan një plejadë të gjatë politike dhe të re nga: Pandeli Majko, Ilir Meta, Petro Koçi, Edi Rama, Erion Veliaj, e disa veteranë të tjerë me radhë. Vitet më vonë, prodhuan Presidentë të shtetit ata që dëshiruan, Berisha , Moisiu, Topi, dhe Nishani. Kryetarë të Kuvendit ata që dëshiruan Berisha, Topalli dhe Meta. Një numër të madh ministrash, deputetësh , kryetarësh Bashkish sa askush tjetër më parë, të cilët deklaruan publikisht: “kush e donte më shumë e kush e donte më pak Amerikën sesa Shqipërinë.” Berisha me pushtetin e tij prodhoi të gjithë oligarkinë e sotme: atë financiare, atë të ndërtimit, të energjisë, karburanteve dhe çdo gjë tjetër në emër të “kapitalizmit pro-amerikan”. Berisha bëri marrëveshjen më të madhe politike me Edi Ramën në 2008-tën, me anë të së cilës shkatërruan “demokracinë e brendshme” të partive politike në emër të “stabilokracisë”.

Garda para zyres së tij vrau 4 protestues me bekimin e atyre njerëzve që sot janë në Departamentin e Shtetit; duke e quajtur “një burrë të madh shteti”. Megjithatë, Berisha kishte harruar nje sentencë shumë të rëndësishme: ” Mëkati më i madh i djallit, është vetëlavdërimi”. E çfarë fuqie djallëzore je nëse atë nuk e bën publike?!

Berisha e bëri dje publikisht mëkatin e tij më të madh duke thënë se ai kishte qenë gjithnjë në luftë me multi-miliarderin Soros. Investimi më i madh i Network-ut Soros në Partinë Demokratike është Lulzim Basha. Për t’i hapur rrugën Bashës, Berisha i shkatërroi të gjithë: me miq dhe armiq, themelues e kontribues në parti e në shtet. Nëse Fatos Nanos, Sorosianët ia morën partinë duke e dërguar në pension, Berisha ia dha vetë, madje në pushtet nga KOP-ja, e deri në ditët e sotme. Dje asistuan aktin e fundit të kësaj tragji-komedie me kompleksin e Edipit brenda. Ndërkohë, Lulzim Basha është i detyruar të pranojë edhe humbjen, edhe “marrëveshjen historike” me Ramën. Atij i duhet të ruajë partinë, nga një grup kundërshtarësh me bekimin e Berishës që mund ta dëbonin. Është e qartë, që as Kadilli, as Nishani e askush tjetër nuk mund ta dëbonte Bashën pa Berishën. Ndaj Basha për të ruajtur veten, pushtetin e tij partiak, të ardhmen e vet në politikë, vrau babain e tij politik per babain e tij masonik ( sipas asaj që vetë Berisha tha mbrëmë).

Që nga dje, Sali Berisha do t’i përkasë historisë së vet dhe familjes së vet politike. Në këto 30-vjet, është një lajm i mirë, sepse mbyllet një sipar historik dhe hapet një sipar tjetër historik i cili jo domosdoshmërisht do të jetë më i mirë se i pari. Ndaj ata që dje u gëzuan sesi e “hëngri” Berisha, nuk duhet të gëzohen shumë, sepse herët a vonë do të jetë edhe radha e tyre.

Anisa Bahiti
20 MAJ 2021 ✍🏻

Infowebtv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu