Erozioni rrezikon të shembë rrugë dhe të fundosë shtëpi në Librazhd

0

Nga Ediola Terziu

Ekspertët: Zgjidhja vjen duke respektuar mjedisin dhe mbjellë sa më shumë pemë

Erozioni  konsiderohet një pasojë e drejpërdrejtë e dëmtimit apo zhveshjes së pyjeve. Zona e Librazhdit është mjaft e prekur nga ky fenomen që gjithmonë e më shumë i afrohet zonave të banuara duke rrezikuar rrugë dhe shtëpi.

Banorët kanë raportuar raste të rrugëve të shembura si dhe territore të tjera që venë në rrezik jetën e tyre. Një prej rasteve është lagjja e Ish Ushtarakut në periferi të Librazhdit. Mbi 20 familje që prej datës 26 janar 2021, kur edhe është regjistruar rrëshqitja e fundit, detyrohen të kalojnë rrugën në këmbë pasi është zhdukur një pjesë e mirë e saj dhe përbën rrezik për automjetet. Banorët thonë se sa herë që bie shi, situata përkeqësohet. “Kjo rrëshqitje këtu rrezikon banorët e zonës. Ne jemi shumë të rrezikuar nga kjo rrëshqitje dhe jo vetëm për rrugën por edhe për shtëpitë pasi dheu lëviz vazhdimisht.  E kemi bërë këtë shqetësim problem edhe pranë bashkisë Librazhd. Kryetari i bashkisë mori zotim dhe na tha se do të ndërhyhet por deri tani veç fotografimeve dhe filmimeve nuk kemi parë një gjë konkrete”.

I kontaktuar nga InfoElbasani nënkryetari I bashkisë Librazhd Andri Çota deklaroi se rasti i erozionit tek ish Ushtaraku në periferi të qytetit është duke u ndjekur nga bashkia Librazhd. “Është verfikuar situata në terren dhe është duke u bërë një studim gjeologjik për zonën. Menjëherë pas përfundimit të këtij studimi do të hartojmë projektin për ndërhyrjen. Sigurisht që do të duhet kohë por e kemi përparësi me fondet e emergjencave civile dhe do ndërhyjmë sa më parë”.

Nënkryetari i bashkisë konfirmoi se rrëshqitje ka në zona të ndryshme siç është fshati Funarës. Ndërkohë rrëshqitje të tjera nuk janë të rrezikshme për vetë banorët por rrezikojnë tokat e bukës dhe pyjet.

Shoqatat mjedisore thonë se zhveshja e pyjeve është një problem i madh për zonën e Librazhdit. Isuf Dervishi, drejtues I shoqatës AGRIEN në Librazhd thekson se ka pasur nisma të vazhdueshme për mbjelljen e pemëve nga shoqata e tij por duket se kjo nuk mjafton. “Kemi ndërmarrë disa projekte për mbjelljen e pemëve ndër projektet e tjera që kemi. Janë mbjellë mijëra rrënjë lajthi dhe pemë të tjera në Prrenjas dhe Librazhd për të veshur zonat e zhveshura. Erozioni ka disa shkaqe por mund të them se një prej tyre janë edhe guroret që zhveshin zona të tëra për shfrytëzimin e gurit”.

Një prej ekspertëve më të mirë mjedisor në Elbasan, inxhinieri i pyjeve Ahmet Mehmeti e quan erozionin kërrcënimin e madh të pyejeve duke shpjeguar edhe shkaqet nga se vjen ky fenomen që lidhet drejperdrejtë me ndikimin e vrazhdë të njeriut në mjedis. “Prerja e pyjeve pa kriter, guroret dhe ndërtimi i Heceve pa një studim të mirëfilltë mjedisor janë disa nga shkaqet që sjellin erozion. Kjo është parë edhe përgjatë lumit Shkumbin ku janë zhdukur hektarë të tëra sipërfaqe me tokë. Shkatërrimin e rrugëve, të shtëpive, toka e bukës që zvogëlohet herëpashere. Mbjellja e sa më shumë drurëve, pyllëzime të ndryshme. Të mbillen breza pyjore edhe midis tokave e bukës dhe burimeve ujërore. Që ato të japin realisht efekt duhet që këto mbjellje të drejtohen dhe të këshillohen nga specialistë të mirëfilltë të pyjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu