Eugen Isaj njofton prezantimin e Gazment Bardhit si drejtues politik të qarkut Elbasan

0

Është kryer sot prezantimi i Gazment Bardhit si drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25-prillit. Prezantimi u krye në selinë e PD, dega Elbasan në prezencë të drejtuesve lokalë të degës së PD si dhe strukturave drejtuese.

Demokratët elbasanas kanë vlerësuar Gazment Bardhin si një nga figurat qendrore të PD.

Në një postim në profilin e tij në facebook, kryetari i degës, Eugen Isaj mes të tjerash citon se ky është një “vlerësim nga Kryesia e PD dhe Kryetarit Basha për përfaqësim me figura dinjitoze, jo vetëm për anëtarët e familjes sonë politike, por për të gjithë qytetarët elbasanas”.

Ja dhe postimi i z. Isaj në Facebook:

Sot në prezantimin e drejtuesit politik për qarkun e Elbasanit z. Gazment Bardhi! Vlerësim nga Kryesia e PD dhe e kryetarit Basha për përfaqësimin në nivelet më të larta dhe me figurë dinjitoze e përfaqësuese, jo vetëm për anëtarët e familjes sonë politike, po për të gjithë qytetarët elbasanas !

PD synon ti kthehet lavdisë së dikurshme në këtë qark kur drejtues politik ishte kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha dhe ku PD arriti të marrë 7 deputetë.

Po çfarë thotë vetë Gazment Bardhi:

Gazment Bardhi tha se Elbasani është shembulli i asaj që ka bërë rilindja në 8 vitet e fundit ku sipas tij ushtruesi e pushtetit me privilegjet e tyre qëndrojnë në një anë, ndërsa banorët në anën tjetër.

Bardhi u zotua se me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon pasi do të dalë nga varfëria dhe do të gëzojë potencialin që ka me projektet e zhvillimit që do zënë vendin e pazareve.

“Elbasani është ndoshta shembulli më emblematik që dëshmon se çfarë ka bërë ‘rilindja’ në 8 vite. Dy botë të ndryshme që shtrihen në mënyrë paralele. Ushtruesit e pushtetit, me privilegjet e pasuritë e tyre në simbiozë të plotë me grupet kriminale në një anë. Dhe njerëzit, qytetarët dhe banorët, të harruar e braktisur, në anën tjetër.

Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka. Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues.

Eshtë nderi më i madh që më është bërë të jem drejtuesi politik i fushatës në këtë qark, për Partinë Demokratike. Përgjegjësi po ashtu tejet e madhe. Sfidë që më mbush me energji dhe entuziasëm.

Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zevendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë.

Jam i bindur se qarku Elbasanit do të jetë në vijën e parë të ndryshimit. Njerëzit mezi po presin. Të bashkuar si asnjëherë tjetër dhe në krah të qytetarëve ne do të sjellim qeverisjen dhe rendin që e meritojnë banorët e mrekullueshëm të këtij qarku, prindërit, të moshuarit, të rinjtë e të rejat, fëmijët që kanë ëndrra për një ardhme më të mirë”, u shpreh Bardhi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu