Covid-19 i ka marrë jetën edhe Sami Dollanit, 71-vjeçarit nga Gramshi, emër i njohur për arsimin në këtë rreth.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë dhënë kolegët e tij, të cilët flasin me elozhe për ish mësuesin dhe drejtuesin e arsimit në Gramsh.
“Me hidhërim të thellë mësuam se është ndarë nga jeta papritur dhe parakohe ish kolegu ynë i nderuar z. Sami Dollani.
Z Sami dha një kontribut të çmuar për zhvillimin e arsimit në rrethin e Gramshit në të gjitha hallkat e këtij arsimi, si mësues, si metodist, si drejtues etj.
Në çdo funksion, tërë jetën u dallua si model i korrektësisë, përkushtimit dhe bashkëpunimit në grup me kolegët, me nxënësit, me vartësit, me komunitetin, pushtetin vendor e qëndror.
Do ta kujtojnë gjatë mësuesin e tyre të dashur breza të tërë nxënësish, kolegësh e bashkëpunëtorësh qe ai i donte dhe respektonte vazhdimisht.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, djalit dhe vajzave për këtë humbje të madhe.U prehsh në paqe miku ynë”, shkruan kolegu i Dollanit, Myrteza Murati, publikuar në faqen “Gramshi te Ju”.
Dollani ka ndërruar jetë ditën e djeshme në një prej spitaleve private në Tiranë, ndërsa në buletinin e sotëm të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë nuk është raportuar si rast.