Ndalim qarkullimi dhe karantina/ Një tjetër Pashkë në Evropë nën morsën e covidit

0

Evropa mund të mos jetë subjekt masash drastike izolimi si ato të valës së parë të koronavirusit një vit më parë, por shumë vende vazhdojnë të përballen me një tjetër Pashkë me takime dhe lëvizje shumë të kufizuara.

Në Francë, kufizimet e reja hynë në fuqi në të gjithë vendin nga ora 7 e mbrëmjes të së shtunës dhe udhëtimet do të kufizohen në vetëm 10 km larg shtëpisë. Francezët inkurajohen të mos takohen për pashkë. Në Belgjikë, pushimet e pashkës zyrtarisht zgjasin nga e shtuna deri më 18 prill por për nxënësit dhe prindërit nisën një javë më herët.

Qeveria mbylli shkollat nga 26 marsi, në kuadër të ashpërsimit të izolimit ekzistues. Spanja mbetet nën gjendje emergjence dhe gjatë natës është në fuqi ndalimi i qarkullimit që varion nga rajoni në rajon, ndërsa një valë e katërt e pandemisë duket se ka përfshirë vendin.

Udhëtimi mes rajoneve nuk lejohet, çka i privon spanjollët të vizitojnë familjarët për Pashkë. Këtë javë, edhe ministria e brendshme e portugalisë njoftoi se njerëzit që vijnë në vend nga zona me raste të shumta infektimi, duhet të karantinohen për dy javë. Vendi u vu nën izolimin e dytë në mes të janarit dhe qeveria ka nisur vetëm tani të zbusë gradualisht masat. Në Greqi, dyqanet e vogla do të rihapen për biznes nga e hëna ndërsa baret dhe restorantet mbeten të mbyllura me kërcënime për gjoba për pronarët që nuk zbatojnë masat. Por ndalimi i lëvizjeve është zbutur dhe nga e shtuna, njerëzit mund të dalin nga qyteti.

Gjermania ndërkohë u tërhoq nga vendimi për mbylljen e plotë të vendit për pashkë, dhe lejon bashkimin e jo më shumë se pesë personave të moshës mbi 14 vjeç nga dy familje të ndryshme, në ambiente të mbyllura.

E gjithë Italia do të jetë ndërkohë zonë e kuqe për fundjavën e pashkës. Irlanda në anën tjetër mbetet nën kufizimet e nivelit maksimal me një limit udhëtimi në rreze prej 5 km dhe 12 ditë karantinë në hotel për udhëtarë që vijnë nga 32 vende që konsiderohen të rrezikshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu