Nga komunizmi në demokraci, kanceret që nuk iu ndanë Elbasanit

0

Nga Ersid Karaj

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, gjendja e mjedisit nuk ishte prioritet kombëtar, pasi regjimi u përpoq ta drejtonte Shqipërinë drejt industrisë së rëndë, të mbështetur kryesisht në teknologji sovjetike dhe kineze. Kjo lloj teknologjie nuk përmbushte standardet e mbrotjes së mjedisit, që rezultoi në ndotje të ajrit, ujit, tokës dhe shkatërrim të florës e faunës në zonat përreth fabrikave. Gjithashtu, kjo ndikoi drejpërdrejt edhe në shëndetin e popullatave që jetonin në këto zona, ku u shfaqën sëmundje të frymëmarrjes dhe difekte që në lindje.

Për shkak të përqëndrimit të industrisë së rëndë, Elbasani dhe zonat përreth u përballën me ndotje të lartë si në ajër, tokë dhe ujë.
Të vetmet të dokumentuara ishin sëmundjet profesionale të punëtorëve të Metalurgjikut apo industrisë së rëndë. Ndërsa për patologjitë e tjera ka pasur vetëm heshtje.

Pas viteve ’90, veç ndotjes nga industria e rëndë u shtua edhe ndotja nga plehrat dhe inertet e hedhura kudo, gazrat e çliruara nga automjetet, pluhurat, etj.

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës pas viteve ‘90 rezulton madje të jetë më e lartë krahasuar me diktaturën.
Matjet e realizuara nga monitorues privatë kanë dëshmuar shifra alarmante e natyrisht kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së komunitetit.

Papër

Përveç Elbasanit, me ndotjen e lartë u përballën edhe fshatrat përreth qytetit. Dhe në vite sëmundje të ndryshme të pashërueshme apo deformime gjenetike janë hasuar me frekuencë të lartë.
Sipas të dhënave statistikore të marra nga qendra shëndetësore Papër, një fshat me rreth 6,348 banorë, rezulton se numri i personave me kancer ka pësuar rritje dy vitet e fundit. Edhe nga mjekët specialist kompetentë shprehen se këto sëmundje vijnë edhe si shkak i ndotjes së mjedisit dhe ajrit, duke qenë edhe një fshat që shtrihet përgjatë lumit Shkumbin, i cili rezulton si një nga lumenjtë më të ndotur në shkallë vendi.

(Statistikat) – Qendra Shëndetësore Papër – 2021-2022
Numri i të prekurve me kancer dhe autizëm:
Me kancer kanë rezultuar 6 individë, të cilët 5 prej tyre janë nën mjekimin dhe trajtimin mjekësor. Dhe 1 individë po me këtë patologji ka ndërruar jetë këtë vit.
Ndërsa me autizëm rezulton se nuk ka pasur asnjë rast.

Raste të tjera ka pasur edhe në fshatin Vidhas. Një fshat me rreth 2500 banorë, ku nga statistikat që kemi mbledhur nga mjekët specialist në qendrën shëndetësore, rastet me kancer dhe autizëm dy vitet e fundit janë:
(Statistikat) – Qendra Shëndetësore Vidhas – 2021-2022
2- raste rezultojnë me kancer në gji.
2- raste rezultojnë me kancer në stomak.
1-rast me kancer në mushkëri.
2- raste me autizëm.
Ku edhe këto raste rezultojnë se janë nën trajtimin mjekësor.

Shirgjan

Edhe në fshatin Shirgjan përgjatë këtyre dy viteve ka pasur raste të konsiderueshme. Ky fshat përbëhet nga një popullsi me rreth 6400 banorë, dhe sipas të dhënave që kemi mundësuar të informohemi në lidhje me këto raste nga mjekët e kësaj zone, rezultatet dhe shifrat të prekur nga kanceri janë këto:
(Statistikat) – Qendra Shëndetësore Shirgjan – 2021-2022
1- person rezultoi me kancer në tru, i cili ka ndërruar jetë.
2- persona rezultojnë me kancer në prostatë.
2- persona rezultojnë me kancer në mëlçi.
1- person rezulton me kancer të kolonit.
1- person rezulton me kancer në stomak.
1- person rezulton me kancer në pankreas.
1-person rezulton me kancer në rrugët urinare.

-Kështuqë, gjendja e deritanishme në këto 2 vjet është alarmante dhe duhet mbajtur në monitorim nga Inspektoriati i Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, pasi ky qark rrezikon të ketë një numër të lartë humbje jetësh dhe me sëmundje të parikuperueshme.

A.V, një banor i fshatit Papër dhe me eksperiencë në fushën industriale në një intervistë për ne, na ka rrëfyer historikun e industrive të ndërtuar në kohën e komunizmit, pas viteve ’90 dhe gjer më sot se çfarë pasojash dhe si kanë ndikuar në jetën e njeriut, përpunimet industriale, mbetjet, ku shkarkoheshin, çfarë pasojash ka pësuar natyra, lumi Shkumbin, përrenjtë dhe si janë përballur këto banorë përgjatë këtyre ndryshimeve, etj.

Gazetari: Zoti A.V., ju jeni një njeri me pune në industri dhe njëkohësisht edhe banorë i kësaj zone, si i keni parë përgjatë këtyre viteve ndryshimet e teknologjisë industriale, dhe si kanë ndikuar këto ndryshme në jetën e qytetarëve, sa ka ndikuar në shëndetin në komunitet?

A. V: Që në krijimin e qenieve të gjalla toksore, ajrore dhe nënujore, mjedisi ka pasur rëndësi më të madhe në bashkëjetesën e përbashkët, sepse për mua mjedisi nuk është vetëm i njeriut, por i çdo qenie frymore dhe ujore. Ne njerëzit, jemi pushtuesit e mjedisit dhe pa e llogaritur se ka edhe qenie të gjalla që ne po i shkatërrojmë dita-ditës; po i vrasim duke zaptuar dhe duke ndotur ajër, tokë dhe ujë. Ajri ndotet dita-ditës shumë e më shumë, pasi është shtuar dhe egoja e njeriut për mirëqenie, duke ndërtuar fabrika, uzina, pallate, etj. Unë nuk jam kundra zhvillimit apo kundra ndërtimit që të bësh një ndërtim, i cili kushton shumë nëpër vendet me kulturë mjedisore, me kanalizimet dhe filtrat që përdorin uzinat, fabrikat për të eliminuar sa më shumë ndotjen e ajrit. Bota e qytetëruar shpenzon jashtëzakonisht shumë për pastërtinë e ajrit, ndërsa tek ne s’ka rëndësi mjedisi, por pasurimi sa më i shpejtë! Elbasani me fshatrat që e rrethojnë është një nga qytetet më të ndotura. Në vitet e diktaturës, zona e Balldrenit u bë zonë industriale ku punonin mijra qytetarë të këtij qarku dhe u ndërtua Metarlugjiku në atë kohë, u ndërtuan dhe disa pallate për punojësit që vinin nga rrethet e tjera. Kjo gjë nuk duhej të ndodhte, sepse të ndërtohesh shtëpi përrreth uzinave nuk është e lejueshme për shëndetin njerëzor. Nuk ka pasur shtëpi rreth fabrikave, kushte për puntorët ndoshta nuk ka pasur, por mjedisi mundoheshin ta ruanin me fanatizëm me atë teknologji që ka pasur koha. Po theksoj vetëm ndërtimin e pompave që tubacionet të cilat sot e kësaj dite janë akoma nga Balldreni në Damë. Kjo linjë pompash e tubacione përshkojnë male e fusha për të dopozituar në një vend të caktuar mbetjet dhe pluhurin e Metalurgjis. Ky vend është dhe sot në fshatin Papër dhe quhet Damë, ku nuk u lejua kurrë të ndërtoje shtëpi për jetesë afër saj. Demokracia solli një fatkeqësi të madhe për sa i përket mjedisit. U shkatërruan fabrikat dhe uzinat e kësaj zone. U shpyllëzua dhe u ndot lumi Shkumbini, madje edhe përrenjtë në një përmasë të madhe. Filluan zaptimet e territorit, ndërtimet rreth uzinave, shtëpia banimi, ku nuk lejohej të ndërtohej ndërtime pa kritere, pa kanalizime, pa studim urbanistik që po t’i shohësh sot të vjen të ulërasësh sesa ndotje ajrore ka në fshatrat: Balldren,Vidhas. Pasi u shkatrruan të gjitha uzinat, fillojë edhe rindërtimi i Çelikut, Ferro-kromit që nuk llogaritën fare për ndotjen e mjedisit, por pasurimin e shpejtë, duke shkatërruar gjithçka: Tokat, ullishtat, lumin Shkumbin. Gjethet e pemëve dhe fruti i tyre nxihet nga pluhuri, ullishta përrreth. Po të shkosh sot e kësaj dite t’i shohësh gjethet që nxihen nga pluhuri që çliron Metalugjiku, lumi Shkumbin duket si lumë nafte se shkëlqen nga nafta dhe llumi që shkarkohej në të. Të gjithë mbeturinat dhe mbetjet e qytetit të Elbasanit, shkarkoheshin në Shkumbin duke llogaritur dhe uzinat. Kur ishim të vegjël laheshim në Shkumbin. Nuk mbaj mend një shok të fëmijërisë që të mos jetë sëmurë nga lëkura dhe mos të ketë shkuar në spital tek mjeku përkatës që gjithmonë na thoshte: – mos shkoni në Shkumbin! Imagjinoni gjallesat që s’kanë pas mundësi tjetër vetëm ujin. Pra, njeriu zaptues, njeriu shkatërrues.

“- Ruhuni nga kafshët e egra thonim dikur”. Dhe vërtetë kafsha një njeriu mund t’i bëj dëm, por njeriu vet i bën dëm gjithë mjedisit, njerëzimit, kafshëve, shpendëve, gjallesave nënujore, etj. Duke mbrojtur mjedisin, ne ndihmojmë përmirësimin e stilit të jetesës. Benefitet që ne kemi nga mjedisi janë të pafundme, por vitet e fundit për të fituar ato ”benefite”ne i kemi humbur dhe duhet një punë e madhe si nga shoqëria dhe pushteti që t’i rifitojmë përsëri. Ne të gjithë, kohët e fundit jemi përballur me një virus i cili erdhi papritur në jetët tona. Eshtë për t’u përmendur fakti se humbëm shumë gjëra, dhe shumë miq e mikesha.

Gjatë kohës së izolimit ishin të shumta bizneset që u mbyllen ku ia vlen të përmenden industritë e ndryshme. Këto industri prodhojnë një sasi të madhe gazrash, ku përqindje të madhe zë dioksidi i karbonit (CO2). COVID-19, mundësoi largimin e prodhimit të këtij gazi duke e lënë ajrin, tokën të marrë frymë sërish lirshëm. Gjithashtu, ndotja e ujit dhe e tokës ra ndjeshëm duke bërë që mikro-organizmat të mos dekompozojnë më materialet e hedhura në mjedisin tonë të përbashkët.

Pra, lind pyetja: mos duhet një virus që njerëzia të ndërgjegjësohet për të ruajtur mjedisin?! Unë them jo, duhet ndërhyrja e organeve përkatëse e pushtetarëve, që rreth vendbanimeve të këtyre zonave të jetë një ambient i pastër.

Për ta përmbyllur si argument, mund të them se virusi e ndaloi jetën tonë fizike për një kohë. Por la gjallesat e tjera të jetojnë dhe gëzojnë mjedisin që ne njerëzit e kemi zaptuar si “qenie shkatërrimtare”.

Gazetari: Si mendoni që duhet shmangur ky problem, dhe a vazhdon gjendja të jetë në përmirësim, apo vazhdojmë të jemi ndotës dhe keqbërës të komunitetit, ndoshta edhe pavetëdijen tonë?

A.V: Babëzitja njerëzore vazhdon. Gjallesat zhduken sikur Zoti e ka krijuar mjedisin vetëm për ne njerëzit, si ka mundësi që jemi kaq “dritë shkurtër”, si nuk mendojmë për brezat dhe për të ardhmen e trazhgimtarëve tanë që t’i lëmë një mjedis të pastër dhe një frymëmarrje plot jetë. Një shëndet të mirë larg spitaleve, dhe me gjelbërim, pyje e pemë të bukura dhe lumenj të pastër. Natyra është jeta. Po të shkoni në spitalin e Elbasanit sa njerëz vinë me probleme në frymëmarrje dhe sa sëmndje janë shtuar që dikur nuk ekzistonin falë natyrës, falë pemëve e pyjeve, ujit, ajrit të pastër. Shkoni në majën e një mali rreth fshatrave të qarkut të Elbasanit do shihni grumbull resh pluhurui e gazi që e mbulojnë zonën nëse zbret poshtë në fusha nuk duron dot aromën e shpifur që ka për rreth. Banorët e zonës janë mësur si bën përshtypje që vdekja po vërtitet vërdall ku do që marrin frymë, kudo që prekim. Po vrasin fëmijë e tyre me dorën e vet, duke prerë pyje e pemë duke hedhur inerte dhe plera nëpër lumenj e përrenj. Kancer në mushkëri, kancër në stomak, kancer gjithandej, por nuk arrinë të kuptojnë që kanceri jemi ne vetë njerëzit që nuk paskemi të ngopur. Të jem vetë mirë thotë shumica për veten, por harrojmë që ajri është një dhe nuk e privatizojmë dot. Zoti e krijojë natyrën, njeriu i shkatrrojë. Na vinë nëpër fshatra pushtetar e lloj-lloj surullopi dhe kurrë nuk flasin për shkatërrimin e mjedisit që na vret dita-ditës pa e kuptuar. Ka ardhur koha e zaptimit, nuk sheh një kope kafshësh si dikur kur ishim të vegjël se s’kanë lënë një metër vend pa zaptuar, ska ku të përplasi kokën kafsha shkretë se njeriu vret. Qytetarët na shohin me neveri dhe përçmim ne fshatarëve sikur s’jemi njësoj. sikur nuk marim frymë njësoj, nuk është mëkat të lindësh në fshat, mëkat është të paragjykosh dhe poshtërosh një njeri të thjeshtë që fatkeqsëia e tij është se lindi në fshat. – Ku ka si natyra që të zgjat jetën”,- thoshin gjyshërit tanë. – Preve një pemë, vrave një jetë.

Në fshatin tim dhe fshatrat që na rrethojnë s’kam parë një pushtetar, një ambientalist, një televizion, një gazetar të flasi për këto katastrofa mjedisore edhe kur ka pas diçka ka qenë sipërfaqësore, e pakuptimtë. Të flasin lirshëm pa ndonjë interes, thjesht duke shkelur vendin, duke parë pyjet, lumin, përrenjtë dhe duke thithur ajrin e kësaj zone. Do isha i lumtur të shihja një emision, një shkrim nëpër gazeta, një gazetar të fliste për këto zona industriale të vinte vetë në terren ta prekte vetë situatën . Por besoj dhe jam i bindur që pushteti dhe lidhja me të nuk e lë, çdo gjë është e lidhur në këtë vend me pushtetin për përfitimet personale. U hap fabrikë gominash, plastike, plumbi, shkrirja e gomave baderive, alumini, riciklimi i plerave, etj., askush nuk i kontrollon, askush nuk shqetësohet për standardet e higjenës mjedisore, askush nuk e vret mendjen për ndotjen, sepse janë vetë po ata që i ndërtojnë, jo ne të mjerët që jetojmë rreth objekteve të uzinave.
Edhe mjekët e këtyre zonave, shprehen se shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve vjen nga ndotja e ambientit nga Metalurgjiku, por edhe për disa shkaqe të tjera, – përfundojë qytetari.

Doktoresha në Qendrën Shëndetësore Shirgjan, e cila nuk dëshiron të identifikohet me emër, shprehet se shkaku kryesor i kancerit që shfaqet nëpër organet e njeriut vjen për këto 5 arsye:

1-Ndotja e ambientit nga Metalurgjia
2- Kequshqyerja
3- Jeta sedentare
4- Pesticidet që përdoren te perimet dhe frutat
5- Stresi

-Mesa duket, ky shqetësim dhe ndikim i këtyre sëmundjeve në shëndetin e qytetarëve, po vjen në rritje e sipër. Kjo panoramë përvçse është shqetësuese, por është edhe trishtuese, dhe duhet domosdoshmërisht të merren masat e duhura. Bashkia e Elbasanit duhet të reagojë sa më shpejt për të normalizuar këtë situatë alarmante.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu