PE: ”Të hapen negociatat në dhjetor me Maqedoninë e Veriut dhe të ecet përpara me Shqipërinë”

0

Parlamenti Europian e ka konsideruar si të papranueshme bllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërine.
Më shumë se 20 eurodeputetë nga grupime të ndryshme politike kanë firmosur një deklaratë, ku i kërkojnë Këshillit të ministrave të gjejnë njê zgjidhje për nisjen e negociatave tê anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut para fundit të vitit dhe të ecet përpara Shqipërinë.
Eurodeputetët shprehen, se bllokimi aktual për nisjen e negociatave të anëtarësimit po zbeh besimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe po zvogëlon fuqinë dhe ndikimin e kësaj organizate në rajon.
“Bllokimi aktual për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ne i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë një kompromis mbi çështjet dypalëshe për të shmangur shtyrjen e procesit të anëtarësimit më tej. Bullgaria duhet të miratojë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast në dhjetor, duke pranuar kështu përpjekjet e bëra nga vendi në procesin e anëtarësimit në BE. Maqedonia e Veriut në rolin e saj si një vend i ardhshëm në procesin e anëtarësimit, duhet gjithashtu të bëjë çdo përpjekje të mundshme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”, theksojnë eurodeputetët në deklaratën e tyre.
Lidhur me Shqipërinë, eurodeputetët kërkojnë që vendi të ecë përpara duke përmbushur kushtet e vendosura dhe zgjidhur shqetësimet e disa shteteve anëtare. Këto shtete anëtare duhet të adresojnë këto shqetësime me Shqipërinë.
“Shqipëria gjithashtu meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke pasur parasysh përpjekjet gjithëpërfshirëse për reformat, veçanërisht në fushën e drejtësisë gjatë viteve të fundit dhe vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për to. Nevojiten përpjekje nga Shqipëria në disa fusha për të përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në konkluzionet e Këshillit të ministrave.( 25 mars 2020) Përpjekje gjithashtu duhet të bëhen nga disa shtete anëtare, që tregojnë aktualisht dyshime për t’i dhënë Shqipërisë dritën jeshile lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke punuar me Shqipërinë në adresimin e shqetësimeve të tyre. Përpjekjet kryesore transformuese dhe reformuese do të duhet të ndodhin gjatë negociatave aktuale të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu