Plas sheri mes policëve dhe gazetarëve në mes të lokalit. “Nuk më plas k.. çfarë je (Sherri kthehet në personal, kërkojnë dhe përforcime)

0

Një incident qesharak për nga rrethanat, por shqetësues për mesazhin që jep, ka ndodhur natën mes të enjtes dhe të premtes mes një grupi policësh të Rajonit 1 të Tiranës dhe turnit të natës të gazetës DITA. Ngjarja ka nisur rreth orës 02.30 në një lokal të vogël në zonën e Pazarit të ri ku ofrohet ushqim gjatë natës.

Sipas dëshmisë së një prej punonjësve të gazetës i dhunuar nga policia, grupi ka qenë i ulur në lokal duke konsumuar ushqim, kur brenda ka hyrë një punonjëse dhe një punonjës policie të Rajonit nr.1. Megjithëse me uniformë dhe në orar pune, ata janë ulur për të ngrënë, një veprim që u ndalohet nga rregullorja e institucionit që përfaqësojnë.

Në pritje për t’ju ardhur ushqimi i porositur, punonjësja femër e policisë është kthyer nga tavolina ku ndodhej grupi i gazetës dhe me ton urdhërues i ka kërkuar njërit prej tyre, të mos… shfrynte hundët (!)

Pasi ka marrë një reagim habie, në mënyrë demonstrative ajo është çuar në këmbë nervoze dhe i ka kërkuar personit të shkojë në banjo të shfryjë hundët (!). Deri këtu gjithcka duket qesharake por ajo që ndodhi më pas është alarmante nëse shihet si dëshmi e një policie që i ka keqkuptuar kufijtë e detyrës, të drejtat dhe detyrimet përballë qytetarit.

Pasi bashkëpunëtori i gazetës DITA ka refuzuar të shkojë në banjo, duke i thënë punonjëses së policisë se “me këtë logjikë edhe ajo duhej të shkonte aty sepse kur kishte hyrë në lokal kishte kruar hundën” policja nervoze në kulm ka kërkuar ti paketohet ushqimi dhe bashkë me kolegun kanë dalë nga lokali.

Në hyrje të tij ata kanë thirrur përforcime duke raportuar në radio rast “kundërshtimi me dhunë të policisë”! Të paktën 6 makina me sirena dhe rreth 30 punonjës policie kanë mbërritur përballë lokalit pas disa minutash.

Duke qenë se bëhej fjalë për punonjës të medias pa asnjë rrezikshmëri, të cilët kanë pritur me qetësi mbërritjen e zhurmshme të kolegëve të së fyerës, e gjithë ajo armatë e pajustifikuar policie është një shpërdorim më vete i taksave (në orë pune policore, përdorje forcash, karburant) etj. Nuk mbaroi me kaq.

Një nga policët është shfaqur vecanërisht i ndjeshëm ndaj pretendimeve të koleges së tij. Pasi ka mbushur me ulërima tarzani në 3 të natës Pazarin e Ri ai ka shtyrë, goditur dhe sharë kriminelin që ofendoi rëndë me qurret e tij policen në detyrë.

Pas interesimit të gazetës mësohet se bëhet fjalë për oficerin e policisë të rajonit numër 1, Behar Ganci. Kolegia dhe mikja e tij e fyer quhet Olmira Shehaj, polici shoqërues i saj quhet Algert Mollajmeri (të dy në fotot përbri makinës lart)

Kur një nga bashkëpunëtorët e gazetës ka tentuar ta sqarojë oficer Beharin se – e para policja nuk ishte në detyrë por duke ngrënë dhe e dyta i fyeri ishte ai dhe jo policja, – Behari ka kaluar në nivel reagimesh që do tia kishte zili edhe Çak Norris.

Fjalisë pasuese se po godet pa asnjë shkak një punonjës të medias, Behari i është përgjigjur me fjalinë: “Nuk më plas k.. çfarë je” dhe ka urdhëruar disa herë futje dhe dalje në makinë të të goditurit pa dhënë shpjegime pse duhej përsëritur ai veprim.

Në të njëjtën kohë, Olmira e pa të arsyeshme të afrohej tek qytetari i dhunuar dhe t’i thoshte se “kishte dy vëllezër” dhe kjo punë nuk mbaronte me kaq.

Një prej punonjësve të gazetës u është afruar duke treguar dokumentin identifikues dhe duke u kërkuar të ndalonin trajtimin poshtërues. Pyetjes së tij për çfarë po akuzohemi, oficer Behari i është përgjgjur syshkëndijë: “për kundërshtim të forcave të rendit”.

Beharit i është thënë më pas kjo fjali: “Zotëri, kemi respekt për uniformën që ke veshur, por kjo sjellje duket krejt personale dhe e padenjë për atë çfarë përfaqëson ajo uniformë. Këtu nuk kundërshtoi askush asnjë polic. Ti si polic mund të më futesh në shtëpi dhe të më thuash dua të fle me gruan tënde e unë të të them jo, po kjo nuk është kundërshtim i policisë”.

E dini përgjigjen e oficer Beharit për atë që i tha këtë fjali? Urdhëroi ti bëhej test alkooli. U fye rëndë dhe Behari. Incidenti është i parëndësishëm në vetvete, çdo teprim do kallzohet dhe ndiqet sipas ligjit, por ai ngre një çështje që meriton vëmendje.

Rastet e arbitraritetit në terren të policisë janë shtuar. Kjo frymë e një institucioni që ligji ia përcakton qartë kufijtë shton depresionin shoqëror në rritje dhe mund të prodhojë shumë shpejt dhunë që do na dëmtojë të gjithëve.

Ka disa denoncime dhe hetime administrative edhe për komplote të vogla nga grupe policësh të rinj që shfrytëzojnë mundësitë që u jep uniforma për të larë hesape me bashkëmoshatarë të tyre për çështje personale.

Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe vendim-marrës afër policisë duhet të tregojnë vëmendjen dhe përgjegjësinë e duhur përballë një situate që nuk duhet t’u dalë nga kontrolli./ DITA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu