‘Pushtimi i heshtur’ i HEC-eve: Pasoja të shumëfishta mbi komunitetet lokale

0

Koncesionet e mbi 80 hidrocentraleve në qarkun e Elbasanit dhe veçanërisht në Librazhd kanë vështirësuar jetën e banorëve dhe kanë thelluar konfliktet e komuniteteve lokale me kompanitë –ndërkohë që institucionet nuk kanë marrë asnjë masë dhe ia pasojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Nga Bardha Nergjoni në Librazhd dhe Elbasan

Nebi Gurra, banor i fshatit Dragostunjë të Librazhdit ka lindur dhe është rritur mes ujit të freskët dhe pyllit rrëzë malit Shebenik – pjesë e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë në lindje të Shqipërisë.

Por vitet e fundit, i moshuari e ka përjetuar si ‘pushtim’ ndërtimin e një rrjeti hidrocentralesh të vegjël në zonën e tyre.

“Unë kam një jetë që jetoj me pyllin e ujin e Shebenikut. Tani na vjen dikush që as nuk e njohim, na merr ujin, na merr edhe pyllin, pasi e ka rrethuar dhe nuk kemi as ku kalojmë,” thotë i irrituar ai.

Gurra nuk është banori i vetëm i Dragostunjës dhe as i bashkisë së Librazhdit që proteston ndaj pasojave që koncesionet e HEC-eve kanë shkaktuar ndaj komuniteteve lokale. Info Elbasani kontaktoi një duzinë banorësh të irrituar gjatë prillit në zonën e Librazhdit, të cilët u ankuan se hidrocentralet u kishin shkatërruar pyjet, u kishin marrë ujin dhe ishin kthyer në një burim të vazhdueshëm konfliktesh –për të cilat drejtuesit e pushtetit vendor bënin një sy qorr.

Të dhënat e siguruara nga Info Elbasani tregojnë se nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017, qeveritë e drejtuara fillimisht nga Partia Demokratike dhe më pas nga Partia Socialiste firmosën të paktën 35 kontrata koncesionare për ndërtimin e mbi 84 hidrocentraleve të vegjël për prodhimin e energjisë elektrike, pothuajse në çdo lumë dhe përrua të zonës.

Mbi 82% e kontratave koncesionare bien në territorin e Bashkisë së Librazhdit, ndërkohë që 7 prej hidrocentraleve janë ndërtuar tashmë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Grafiku 1: Numri i hidrocentraleve në lumenjtë e qarkut të Elbasanit

Grafiku 2: Lejet e hidrocentraleve në qarkun e Elbasanit sipas viteve

Banorët e zonës së Dragostunjës ngritën dyshime se HEC-et ishin ndërtuar në kundërshtim me ligjin, pasi vendasit nuk kishin dhënë miratimin e tyre. Ata u ankuan gjithashtu se protestat e tyre për dëmtimin e mjedisit dhe marrjen e ujit ishin injoruar nga drejtuesit e pushtetit vendor.

Abdulla Bajrami i tha Info Elbasanit se e gjithë zona e Dragostunjës ishte tharë për ujë.
“Mendoni që s’kemi ujë as për bletën dhe jo për gjë tjetër. Ata na dëmtuan kanalin e ujit të pijshëm, sepse ne e marrim ujin nga maja e Shebenikut. Vjet në verë u thamë për ujë dhe vendosëm të protestojmë. U ankuam edhe në bashki dhe na thanë se çështja do të zgjidhej. Pas kësaj patëm vetëm 3 ditë ujë dhe vazhdoi avazi i vjetër,” tha Bajrami.

HEC-et ndalojnë mullirin në Çermenikë

Në fshatin Kuturman të zonës së Çermenikës, Nazmi Kurti është pronar i një mulliri bloje buzë lumit të Orenjës –që mbulonte prej vitesh nevojat e 20 fshatrave të kësaj zone. Por mulliri ka dalë tashmë jashtë funksionit dhe Kurti fajëson për këtë rrëmbimin e ujit nga njëri prej HEC-eve të zonës.

Koncesioni për ndërtimin e një rrjeti hidrocentralesh në këtë zonë është firmosur që prej vitit 2013, por disa prej tyre filluan të funksiononin dy vjet më parë. Kurti thotë se në fillim e kishin siguruar që HEC-et nuk do të shkaktonin probleme për mullirin, por premtimi sipas tij është shkelur me të dyja këmbët.

“U bë diga dhe ata kanë lejuar vetëm 47cm ujë për mjedisin, duke mos llogaritur fare nevojat tona. Ne jemi 3 km larg digës dhe kur vjen uji këtu, është i pamjaftueshëm duke nxjerrë jashtë funksioni mullirin e bluarjes për 20 fshatra të zonës së Çermenikës,” tha Kurti për Info Elbasanin.

Njësoj si në Dragostunjë, banorët e fshatit Kuturman ankohen se tanimë nuk kanë ujë të mjaftueshëm për të vaditur arat dhe për bagëtitë. Ata thonë se i kanë drejtuar dy ankesa me shkrim bashkisë së Librazhdit, por nuk kanë marrë deri më tani asnjë përgjigje.
“Ne nuk na pyeti njeri fare për centralet. U gjendëm përballë ndërtimit. Nuk e prisnim që do ndodhte kështu, por ja që sot jemi pa ujë në mes të ujit. Nuk kemi ujë as për vaditje dhe as për bagëtinë,” tha njëri prej banorëve.

Bashkitë pasojnë përgjegjësitë

Për të adresuar problemet dhe ankesat e banorëve, Info Elbasani iu drejtua me kërkesa për të drejtë informimi bashkive të Librazhdit dhe Gramshit si dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit –të cilat duhet të kontrollojnë zbatimin e lejeve koncesionare nga kompanitë e HEC-eve.

Institucionet dhanë përgjigje kontradiktore, ndërsa ia pasuan përgjegjësinë njëra-tjetrës për kontrollet që duhet të ushtrojnë mbi kompanitë private.

Bashkia e Gramshit tha në një përgjigje me shkrim se nuk ka një statistikë të plotë për numrin e lejeve të miratuara në territorin e saj, ndërsa shtoi se Këshilli Bashkiak nuk shqyrton lejet dhe nuk ka kompetencë për refuzimin e tyre.

Megjithatë, Bashkia e Gramshit tha se Këshilli Bashkiak kishte dhënë dakordësinë për 8 HEC-e, ndërsa pranoi se strukturat e saj kishin kompetencë mbi zbatimin e kontratës së lidhur mes palëve.

Në një kërkesë të dytë të Info Elbasanit, Bashkia e Gramshit u përgjigj se “Drejtoria e Shërbimit Pyjor ushtron kontrolle për zbatimin e lejeve dhe se nga kontrollet e ushtruara nga specialistët e zonave pyjore përkatëse, nuk janë raportuar parregullsi”.

Ndryshe nga bashkia e Gramshit, bashkia e Librazhdit i tha Info Elbasanit se kontrolli i zbatimit të lejeve nga HEC-et nuk kryhet prej saj, por nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT. Bashkia renditi 12 leje për ndërtime HEC-esh të regjistruara prej saj në vitet 2007-2017.

Krejt ndryshe u përgjigj IKMT, e cila tha përmes koordinatores për të drejtë informimi se përgjegjësinë për zbatimin e lejeve e kishin institucionet pranë Bashkive.

“Nëse kërkoni kopje të raporteve të kontrollit të zbatimit të lejeve të ndërtimit, është informacion për të cilin duhet të drejtoheni pranë IMT (Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit), Bashkia përkatëse, si organi që ushtron përgjegjësinë e kontrollit të territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, brenda territorit administrativ të kësaj njësie,” tha IKMT.
Bashkia e Librazhdit pranoi megjithatë se kishte marrë ankesa me banorët dhe se kishte ndërhyrë për zgjidhjen e konflikteve. Sipas saj, këto raste nuk ishin dokumentuar nga Bashkia dhe nuk janë marrë masa administrative apo veprime të tjera ligjore.

“Ka pasur raste ku banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth dëmeve që kanë sjellë ndërtimi i Hec-it. Në këto raste bashkia ka ndërhyrë si palë mbështetëse për banorët, duke çuar në zgjidhje të problemeve të banorëve,” tha Bashkia në përgjigjen me shkrim.

Dëmet në zonat e mbrojtura

Ekspansioni i koncesioneve të HEC-eve në Shqipëri nuk kurseu as parqet kombëtare –të cilat mbrohen me ligj. Sipas Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan, 7 kontrata të hidrocentraleve të ndërtuara ndodhen brenda zonave të mbrojtura të qarkut.
I fundit që është rivënë në punë së fundmi, duke shtuar edhe kapacitetin e tij është HEC Qarrishta, një hidrocentral ekzistues para viteve ’90, i cili është rikonstruktuar gjatë vitit 2019.

Kreu i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan, Fatmir Brazhda thotë se lejet për HEC-et e ndërtuara janë dhënë përpara shpalljes së zonës në park kombëtar. Megjithatë, Brazhda theksoi se problemi kryesor ishte me mungesën e kontrollit të lejeve të dhëna –siç është sasia e ujit ekologjik në 30% të sasisë së përgjithshme si dhe ndërprerjen e punës gjatë stinës së verës.

“Ne nuk kemi leje të zbatuara në zonën e mbrojtur në Librazhd pas shpalljes park kombëtar dhe kjo është një gjë e mirë, pasi shpallja e ka mbrojtur parkun, por duhen kontrolluar me rigorozitet zbatimet e lejeve nga kompanitë që janë duke i shfrytëzuar aktualisht HEC-et në këtë zonë,” tha Brazhda.

Megjithatë, ai u shpreh dyshues nëse institucionet vendore mund t’i kontrollonin këto leje.
“Institucioni vendor nuk ka kapacitetet njerëzore dhe materiale për t’i kontrolluar këto leje. Kompanitë duhet të zbatojnë kontratat, pasi duhet të lejohet një sasi uji ekologjik që për fat të keq, nuk zbatohet sa duhet si dhe HEC-et duhet të ndalen gjatë verës,” tha Brazhda.

Në fshatin Dragostunjë, Refat Korra thotë pasojat e HEC-eve janë të shumëfishta, ndërsa ndërtimi i rrugëve brenda parkut kombëtar ka shkatërruar mjedisin dhe një sipërfaqe të madhe pyjore të mbjellë me arra.

“Ju mund ta shihni dëmin nëse shkoni atje, kurse ne po vuajmë pasojat. Përroi nuk ka ujë tani në dimër dhe mendoni në verë si do e kemi,” thotë ai i shqetësuar.

Nebi Gurraj i konsideron kompanitë fantazma, që nuk kursejnë askënd.
“I kërkojmë shtetit të ndërhyjë dhe të kontrollojë këto firma fantazma që vijnë e duan të marrin gjithçka dhe nuk duan tja dinë për ne që jetojmë me këtë ujë e këtë pyll,” përfundoi ai.

HEC-et fajësohen edhe për erozionin

Në lagjen Brahja në periferi të Librazhdit, ndërtimi i një hidrocentrali fajësohet edhe për rrëshqitjen e dheut drejt një përroi, që rrezikon të marrë me vete shtëpitë e gjashtë familjeve. Sipas banorëve, HEC-i hap digën në kohën e reshjeve të shumta dhe gërryen tokat. “Ne nuk kemi pasur probleme më përpara me rrëshqitjen. Kjo ka ndodhur pasi është ndërtuar hidrocentrali. Diga hapet menjëherë dhe sasia e ujit që shkarkohet është aq e madhe, sa gërryerja na ka marrë disa dynym tokë,” thotë Liljana, e cila është zhvendosur prej 4 muajsh nga shtëpia. E pyetur nëse është ankuar në bashki, Liljana thotë se kjo ka ndodhur pasi kanë filluar rrëshqitjet. “Bashkia i shpalli të pabanueshme shtëpitë dhe na tha se do të na jepte bonus qiraje. Deri tani nuk kemi parë gjë dhe jetojmë tek të afërmit,”tha ajo. Familjet në lagjen Brahja jetojnë aty prej 40 vitesh dhe sipas tyre, nuk kanë pasur rrëshqitje përpara ndërtimit të HEC-it mbi Rrapun.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu