Që të rinjtë të mos e braktisin Shqipërinë!

0

Nga Anisa Bahiti

Me të drejtë këto kohë është ngritur alarmi i afrimit të dimrit demografik të Shqipërisë dhe ikjes së të rinjve nga vendi, por lind pyetja: çfarë perspektive kanë të rinjtë në këtë vend ?
Sistemi politik i vendit është i monopolizuar.

Partitë janë të mbyllura dhe demokracia e tyre e brendshme nuk ekziston. Kryetarët e partive janë saktësisht si pronarë të tyre, ose si zot shtëpie pa trashëgimtarë me një tufë qiraxhinjsh nga brenda. Sa herë afrohen zgjedhjet kjo gjë kuptohet më shumë.

Le të marrim shembuj:
PD në Gjirokastër, e cila ripropozon pas 30 vjetësh po të njëjtën figurë që ka qenë ministër disa here, zv. Kryeministër, Kryetar Partie dhe është në tregun politik prej 30 vjetësh, kur të rinjtë e sotëm as kishin lindur.

PS, edhe pas 30 vjetësh ka nr. 2 të Shtetit atë që ishte ministri i fundit i Brendshëm para pluralizmit politik. LSI propozon për udhëheqës politik të një qarku po të njëjtin individ që ka qenë ministër dhe zv. Kryeministër sa me Berishën e sa me Ramën, e kështu me radhë e njëjta gjë konstatohet edhe tek partitë e vogla.

Si mund ti ndjekin të rinjtë fenomene dhe forca të tilla politike, çfarë të ardhme kanë ata?

Presidenti, Kryeministri, Kryetari i opozitës sot, secili prej tyre kur ka qenë në moshën tonë ishin në lidership, ministra, kryeministra, kryetarë bashkish. De fakto dhe De Jure, dyert e klasës politike janë të mbyllura hermetikisht ndaj të rinjve.

Le të shohim biznesin dhe tregun e punës.

Gati e gjitha shtresa e biznesit është në duart e oligarkëve që kanë monopolizuar vendin, janë po të njëjtët emra të 30 viteve më parë. Këta janë akoma më makutë se politikanët, jo vetëm që nuk hapin dyert e konkurencës për të rinjtë e çdo shtrese, por shpesh edhe për vetë fëmijët e tyre bëhen pengesë.

Ti hedhim një sy jetës akademike.

E çfarë mund te presësh nga një vend që në krye të Akademisë së Shkencave ka një ministër arsimi të Enver Hoxhës?!

E trendi vazhdon po me të njëjtën metodologji në të gjithë sektorët e jetës.

Alternativat për të rinjtë, të shkolluar ose jo, janë të pakta dhe të pamjaftueshme dhe ajo e të ikurit nga ky vend është një realitet i hidhur. Sa për klasën drejtuese të këtij vendi, politikanët dhe biznesmenët shqiptarë do e paguajnë atë që po i bëjnë Shqipërisë së sotme kur të mplaken në vetmi se edhe fëmijët e tyre do jenë duke jetuar dhe punuar nëpër botë, natyrisht si të pasur prej prindërve dhe atëherë në aeroportin e Tiranës, do jetë shkruar slogani në hyrje: Mirësevini në Shqipëri, ky azil i madh pleqsh!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu