Burri i saj plagosi me thikë drejtorin, reagon ministrja Ibrahimaj: Konflikti s’ka lidhje me detyrën time!

0

Ministrja Delina Ibrahimaj ka reaguar pas lajmeve se bashkëshorti i saj, Andri Ibrahimaj kishte qëlluar dy herë me thikë drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), Ari Koshaj, ngjarje e ndodhur në muajin nëntor.

Ministrja Ibrahimaj, shprehet e “keqardhur” që ky konflikt ka parë dritën e medias pas 5 muajsh. Ajo thotë në reagimin e saj se konflikti nuk ka lidhje me detyrën e saj si ministre, ndryshe nga pretendimet se burri i saj e kishte kërcënuar me thikë drejtorin Ari Koshaj që të jepte dorëheqjen.

Ibrahimaj thotë se prokuroria e pushoi çështjen për mungesë provash, ndonëse në media u publikua akt-eskpertiza mjeko ligjore e të dëmtuarit me dy plagë nga goditjet me thikë.

Në fund, ajo thotë se ngjarja do ishte mirë të mos kishte ndodhur, por që sipas saj, “por nganjëhere zhvillimet e padëshiruara në marrëdheniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim”.


Reagimi i plotë i Ibrahimajt:

Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes.

Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.

Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të akuzës, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë.

Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësine time.

Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time. Padyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëhere zhvillimet e padëshiruara në marrëdheniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht. Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikerisht për shkak të detyres dhe angazhimit tim publik, nje ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye qe nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj.

Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu