Renditej i katërti në listën e Fierit, Ilirjan Celibashi heq emrin e Bashkim Finos. Vendi do të mbetet bosh

0

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka hequr emrin e Bashkim Finos nga lista e kandidatëve për deputetë të PS-së në Qarkun e Fierit.

Vendi i katërt në listën e Fierit do të mbetet bosh, për shkak se Kodi i ri Zgjedhor nuk lejon ndryshimin e listave, pas miratimit të tyre nga KQZ.

Lista nuk do të ketë asnjë ndryshim, përveç faktit që votuesit e Fierit nuk do të mund të zgjedhin dot numrin 4, që socialistët ia kishin besuar Finos, i cili vdiq si pasojë e infektimit me Covid 19.

Ai u përcoll për në banesën e fundit të hënën, pas homazheve që u mbajtën në nderim të tij në Pallatin e Kongreseve.

Bashkim Fino kishte mbajtur disa pozicione të rëndësishme politike, por momenti më kulmor në karrierën e tij ishte zgjedhja në postin e kryeministrit në qeverinë e ‘Pajtimit kombëtar’. Fino u propozua në këtë detyrë nga socialistët, dhe ishte emri i vetëm për të cilin ra dakord dhe presidenti i kohës (1997), Sali Berisha, ndërsa detyra kryesore e tij ishte organizimi i zgjedhjeve, që u mbajtën vetëm disa muaj më vonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu