Si do lidhet Funari turistik me Elbasanin dhe Tiranën nga autostrada

0

Mes Tiranës dhe Elbasanit ekziston një perlë turistike që askush nuk e kishte menduar më parë. Bëhet fjalë për Funarin ku gjelbërimi i pyjeve ndërthuret me ngjyrën e pazakontë të liqeneve që ndodhen në këtë fshat.

Funari është pothuaj i barazlarguar nga Elbasani dhe Tirana. Por infrastruktura e keqe rrugore duket se ka ndikuar që deri më tani kjo pikë turistike të mos ketë famën e merituar.

Që të mbërrish në liqenet e gjelbër të Funarit duhet të përshkosh një rrugë të vështirë që kalon nga Letani në Elbasan. Ndërsa pjesa me Tiranën pothuaj nuk ka rrugë.

Qytetarët dhe vizitorët që kishim mbërritur këtë fundjavë shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore, por të gjithë njëzëri ngrenë shqetësimin e infrastrukturës rrugore dhe aksesorëve të tjerë në pika turistike si parqet, hotelet, restorantet, shërbimet, pastrimi etj.

Në kuadër të promovimit të vlerave turistike të Elbasanit, bashkia e këtij qyteti organizoi një aktivitet artistik të titulluar Funar Fest. Një aktivitet me një repertor të pasur me këngë të muzikës së lehtë, muzikë popullore, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Isuf Myzyri, dans modern dixhej etj.

Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se në Elbasan ka nisur tashmë sezoni turistik duke vënë në gatishmëri të gjitha potencialet dhe resurset që ka zona. Kështu ka filluar prej kohësh turizmi mjekësor në Tregan, dhe tani Funari. Sipas tij në Elbasan ndodhen mjaft pika turistike me klimë të mirë e bukuri natyrore si Gjinari, Treganin, Funari etj. Në këto pika qytetarët janë në kontakt me natyrën dhe shijojnë të gjitha bukuritë e saj.

I pyetur për gjendjen në të cilën ndodhet rruga ai u shpreh se rruga që kalon nga Letani është një rrugë e vështirë që ka rrëshqitje. Bashkia po punon për të ndërtuar një rrugë të re që kalon nga Dopaj përgjatë autostradës Elbasan-Tiranë. Gjurma është 7 km që do ta kthejë Funarin destinacion turistik për gjithë Shqipërinë e më gjërë. Presim investime nga qeveria- tha Llatja.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe drejtuesi politik i PS-së së qarkut, Taulant Balla.

Balla u shpreh se Bashkia Elbasan po i shoqëron promovimet në festa. Ishim në Shebenik, sot në Funar do shkojmë në Belsh e Prrenjas që të evidentojmë bukuritë natyrore të qarkut të Elbasanit që ti japim një dimension të munguar. Elbasani gëzon bukuri të rralla që ndodhen shumë pranë Elbasanit dhe Tiranës. Klima e bukur plus mikpritja-tha Balla.

Balla u shpreh se investimet e munguara nisen nga disa faktorë. Por sipas tij ekziston një projekt që do të shoqërohet me rrugë me standarte bashkëkohore. Sipas tij nuk do të lejohet asnjë ndërtim jashtë planit rregullues dhe që prish imazhin e kësaj pike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu