Taulant Balla: Nuk keni parë gjë akoma, Shqipëria ka nevojë për një lider të fortë si Edi Rama

0

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorët e Librazhdit, zonës ku ai kandidon si deputet.

Përpara fillimit të fjalës së tij, Balla u ka kërkuar qytetarëve të jenë të kujdeshëm dhe të respektojnë masat kundër Covid në mënyrë që të shmangin përhapjen e virusit.

Gjatë fjalimit të tij, Balla është kujdesur që të lëvdojë figurën e kryetarit të PS, kryeministrit Edi Rama duke thënë se në këto kohëra të vështira shqiptarët kanë nevojë për liderë të fortë.

“Betejat e vitit të shkuar kanë provuar se në kohëra të vështira kemi nevojë për një lider të fortë, si Edi Rama.

Pavarësisht vështirësive që solli pandemia e tërmeti, nuk i ndalëm investimet për Librazhdin. Si një djalë i Librazhdit nuk jam ende i kënaqur me sa kemi arritur dhe do të vazhdoj të bëj gjithçka mundem për ta transformuar këtë qytet në çdo cep, në çdo lagje e në çdo fshat.’’

Drejtuesi politik i PS dha një mesazh për demokratët duke u thënë se nuk kanë parë gjë akoma se cfarë investimesh janë përgatitur nga Partia Socialiste për Librazhdin në mandatin e ri. Gjithashtu thumboi partinë demokratike për mungesën e investimeve në Librazhd gjatë qeverisjes së tyre.

“S’keni parë gjë akoma nga ato se çfarë do të bëjmë për Librazhdin në mandatin e ri”

“Çfarë punësh ka bërë Partia Demokratike në Librazhd? Pa turp ata thonë së Partia Socialiste nuk ka bërë asnjë punë këtu. Dua t’ju them demokratëve që nuk keni parë gjë akoma nga ato se çfarë do të bëjmë në mandatin tonë të ri”, tha Balla.

Balla tha se me realizimin e investimeve në kanalizimet e ujërave të zeza dhe në rrjetin e ujit të pijshëm, nuk do të ketë ndalim të investimeve por do të vazhdojnë më tej.

“Vazhdon puna për ta çuar “Lungo Fjumen” deri aty ku kryqëzohet Shkumbini me Rrapunin. Nuk e di çfarë gënjeshtre do thotë PD për këtë, por qentë le të lehin, karvani shkon përpara. Çerdhe nuk kishim, kopshtet tona ishin o zot na ruaj. Gjithçka. Spitali i Librazhdit e njëjta gjë. Imagjinoni të na kishte gjetur pandemia me ambulancat që kishte lënë Sali Berisha pa goma, apo me ministër shëndetësie që ka propozuar Luli, Nard Ndokën”.

Ai shtoi se pritet shumë nga Librazhdi pasi ka qenë vend i dytë pas Vlorës ku kryeministri Edi Rama ka shkelur më së shumti dhe përmendi gjithashtu vendet e reja të punës që janë krijuar gjatë qeverisjes së PS duke shtuar se ka shumë punë për t’u bërë.

“Në 2013 nuk kishte asnjë ndërmarrje prodhuese. Tani në fshatin Togëz të Librazhdit ndërmarrja punëson rreth 200 gra dhe 30-40 burra. Ndërmarrja tjetër pranë stacionit të trenit që prodhon pjesë këmbimi për kompaninë si “Mercedes-Benz” apo kompani të tjera gjermane punësojnë më shumë se 100 djem e vajza të Librazhdit”.

‘’Rruga Zgosht-Peshkopi, rruga e Polisit, e Babjes dhe e Lunikut janë 4 investime që janë bërë brenda një viti të vështirë për ekonominë e Shqipërisë’’, – u shpreh Balla.

Gjatë mbylljes së fjalës së tij në takim kreu i grupit parlamentar të PS, theksoi se falë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, Librazhdi ka vëmendjen që nuk e ka pasur asnjëherë gjatë viteve që qeveriste Partia Demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu