Turqia e Erdoganit mund të shpëtojë Afganistanin dhe turpin më të madh të NATO-s që nga themelimi i saj

0
Nga Anisa Bahiti

Ngjarjet të cilat po precipitojnë në Afganistan janë epokale! Po përsëritet situata e ngjashme me atë të vitit 1996, kur talebanët të cilet morën pushtetin pas disa viteve kaosi post pushtimit sovjetik, i prenë kokën ish-Presidentit dhe gjeneralit afgan Muhamed Naxhibullah.

Edhe atëherë një përzierje mes konflikteve të brendshme të luftëtarëve të Ahmed Shah Masudit, të cilit kishin mundur Bashkimin Sovjetik dhe nuk gjenin dot një gjuhë të përbashkët me qeverinë Kabulit të Presidentit Rabbani, bënë të mundur që talebanët të merrnin një nga një qytetet, krahinat dhe fshatrat nga Kandahari, Herati, etj, siç po bëjnë edhe sot deri në marrjen nën kontroll të gati gjithë Afganistanit.

Qëndroi deri në fund Ahmed Masudi, i vrarë nga një kamikaz i Bin Ladenit, i cili në atë kohë jetonte në Afganistan dhe drejtonte Al Qaeden e tij të famshme.
1 shtatori i 20 viteve më parë me Kullat Binjake ndryshoi gjithçka. SHBA-ja krijoi koalicionin më të gjerë botëror anti-terror të historisë së 60 viteve të fundit, ku rrëzoi talebanët dhe mori Afganistanin nën kontroll. Më tej amerikanët të impenjuar në fronte të tjera, si Iraku e më pas dhe pranvera arabe, kërkuan nga aleatët e NATO-s që misioni në Afganistan të kthehej në një mision i NATO-s. Koncepti strategjik i NATO-s i vitit 2010 futi edhe misionin e Afganistanit në prioritetet e sigurisë së hemisferës veriore dhe më tej vendet anëtare filluan të gjitha të përballen me pikën më delikate të atij koncepti strategjik; financat e çdo vendi ose më saktë e ashtuquajtura “smart-defence”.
Vendet filluan të shkurtonin shpenzimet e tyre ushtarake dhe kryesisht ato të misioneve të tyre në luftën e Afganistanit. Vendet e NATO-s me në krye SHBA-në filluan të përgatisnin një “exit-strategy” nga një anë, duke forcuar ushtrinë afgane dhe institucionet e sigurisë të këtij vendi aspak të stabilizuar. Negociatat me talebanët në Dubai, duke menduar se me zhdukjen e Bin Laden në Pakistan dhe eleminimin politik dhe fizik të të gjithë klasës drejtuese të talebanëve të kohës së Mulla Omarit, ata do të pranonin një sistem kushtetues bashkëqeverises në këtë vend. Ngjarjet e viteve 2012-2013 në Siri dhe Irak dhe krijimi i Kalifatit hoqi më tej vëmendjen nga situata e sigurisë në atë rajon.
Presidenti Obama në mandatin e dytë forcoi më shumë “exit strategjine” nga Afganistani dhe u përqëndrua tek situata në veri të Sirisë dhe Irakut me ISIS. Presidenti Trump shpalli qartë objektivat e tërhqjes definitive nga Iraku dhe nga Afganistani, i cili tashmë u quajt një konflikt i ngrirë dhe me një bindje absurde sepse tashmë institucionet afgane do ta kishin kapacitetin ushtarako-politik për të mposhtur talebanët dhe të ruanin sistemin pluralisto-politik dhe etnik në vend. Ndaj të gjithë vendosën tërheqjen nga Afganistani. Kjo tërheqje po kthehet në një ekatombë historike jo vetëm për Afganistanin, por edhe për NATO-n. Rrezikon të ndodhë ajo që ndodhi me traktatin e Varshavës pas tërheqjes sovjetike nga Afganistani.
Aleanca Atlantike ndodhet në një pozicion tepër të vështirë që nga koha e themelimit të saj, duke rrezikuar të ketë disfatën e vetme dhe të madhe ushtarake që nga koha e themelimit të saj. Vendet anëtare të mbytura me problemet e brendshme politike, pandemia, kriza ekonomike, pasiguria sociale dhe mungesa e konsensusit të brendshëm, kërcenohet nga një paaftësi për të marrë vendime të përbashkëta dhe unike për të zgjidhur këtë çështje.
SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të rikthehet në Afganistan, duke i braktisur të gjithë aleatët e deridjeshëm nën fatin ogurzi të talebanëve. Në këto kushte vetëm një ushtri e NATO-s mund të rimarrë në dorë këtë situatë të pashpresë.; Turqia e Erdoganit dhe ushtria turke me disa aleatë të saj në rajonin e Azisë së mesme, por edhe të NATO-s.
Turqia është ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, e fuqishme dhe moderne. Konflikti në Nagorno-Kharabakh tregoi se gjërat kanë ndryshuar shumë në 20 vitet e fundit. Gjithashtu stabilizimi i deritanishëm i veriut të Irakut dhe Sirisë, i atribuohet edhe Turqisë. Turqia ka marrëdhënie të shkelqyera me vendet fqinje të Afganistanit: Turkmenistan, Kazakhistan, Kirghizistan, Usbekistan, madje edhe me vetë Iranin dhe Pakistanin, që janë kufitarët më të mëdhenjë të Afganistanit. Një ushtri e të gjithë këtyre vendeve, nën drejtimin e Turqisë me mandat të OKB-së, do të bënte që të shmangej ky kërcënim real për Afganistanin në keto momente. Gjithashtu Turqia është edhe garanti më i madh për popullsitë myslimane të Kinës, në Turkistan (ujgurët), gjë që do të thoshte edhe një konsensus kinez për këtë zgjidhje.
Edhe Rusia e cila e di mirë se sa i rrezikshëm është Afganistani, do ta përkrahte këtë zgjidhje. Sigurisht kjo do ta kthente Turqinë në fuqinë më të madhe ushtarako-politike të Azisë, por është dhe zgjidhja e vetme. Ushtarakisht Turqia ka një eksperiencë 20-vjeçare në Afganistan, pikërisht në rajonet e Heratit dhe Kandaharit, si dhe të Kabulit. Bashkë me kapacietet ushtarake dhe teknologjinë e avancuar turke , por dhe me ndihmën e vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-së, Turqia mund të garantonte jo vetëm sigurine e brendshme të Afganistanit, por edhe atë të të gjithë rajonit të Azise Qëndrore.
Nëse talebanët e marrin të gjithë Afganistanin, Europa kërcënohet edhe nga një valë më e madhe refugjatësh, e cila do ta destabilizonte më shumë në raportet e brishta të kontinentit. Nga pikëpamja historiko-fetare, vetëm Turqia nën lidershipin e Erdoganit do të ishte e pranueshme për shumicën e popullsisë afgane jo vetëm atë syninte, por edhe atë shiite. Eshtë momenti që jo vetëm Aleanca Atlantike t’ja kërkojë këtë rol shpëtimtar Turqisë, por edhe Bashkimi Europian.
20 vjetori i Kullave Binjake pas 1 muaji, më 11 shtator të vitit 2021 rrezikon të jetë shumë vonë dhe mund të kemi në atë pervjetor në pushtet në Kabul, ata që sponsorizuan dhe përkrahën masakrën më të madhe mbi civile nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, atë të rrëzimit të Kullave me avionë 20 vjet më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu