Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka marrë kërkesë zyrtare nga autoritetet gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.
Burime për Gazetën Shqiptare bëjnë me dije se kërkesën prokuroria e ka marrë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që Kujtojmë se Timofeeva është arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur në ish-uzinën ushtarake të Gramshit, ku ra në pranga sëbashku me një shtetas rus dhe një ukrainase.
Kjo shtetase aktualisht është e paraburgosur nën masën e sigurimit “Arrest në burg” caktuar për nevoja të procedimit penal nr.1168, viti 2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësisë rezulton se shtetësja ruse Svetlana Timofeeva, lindur më 18.03.1989, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, parashikuar nga pika “a”, paragrafi 2 të nenit 283 të Kodit Penal Rus.
Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest ne burg”, për veprën penale të sipërcituar.
Në zbatim të nenit 492 të K.Pr.Penale, nga prokurori është marrë kontakt me shtetasen ruse për të cilën kërkohet ekstradimi Svetlana Timofeeva, e cila ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.
Në vijim të veprimeve procedurale, më datë 10.01.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka dorëzuar në gjykatë kërkesën me objekt: marrjen në shqyrtim të kërkesës së autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.
Kujtojmë se gjatë incidentit në ish-uzinën e Gramshit mbetën të plagosur tre ushtarë shqiptarë, të cilët ishin me mision në ruajtje të godinës, pasi ndaj tyre u përdor lëndë kimike.