VOA/ Mbi 4 milionë vdekje nga COVID-19 në botë

0

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në të gjithë botën kaloi shifrën e zymtë të 4 milionëve të premten, sipas përllogaritjeve të bëra nga agjencia Reuters, ndërsa shumë vende përpiqen ende të sigurojnë vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar popullsinë e tyre.

Ndërsa numri i rasteve të reja dhe vdekjeve është zvogëluar në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, disa vende kanë mungesa të vaksinave pasi varianti Delta po bëhet lloji dominues i virusit në të gjithë botën.

Sipas një analize të agjencisë Reuters, u desh mbi një vit që numri i të vdekurve nga COVID-19 të arrinte në 2 milionë njerëz, ndërsa 2 milionë vdekjet pasuese u regjistruan në vetëm 166 ditë.

Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika – kanë rreth 50% të të gjitha vdekjeve në botë, ndërsa Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari kanë nivelin më të lartë të vdekjeve për nga numri i popullsisë.

Vendet në Amerikën Latine po përballen me shpërthimin më të keq që nga marsi, me 43 nga çdo 100 infeksione në botë që po raportohen në këtë rajon, sipas agjencisë Reuters. Nëntë vendet kryesore që raportuan më shumë vdekje për frymë gjatë javës së fundit ishin të gjitha në Amerikën Latine.

Spitalet në Bolivi, Kili dhe Uruguai po shohin kryesisht pacientë me COVID-19 mes moshave 25 dhe 40 vjeç. Në Sao Paulo të Brazilit, 80% e pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv janë me COVID-19.

Shtimi i vdekjeve po ul kapacitetin operativ të krematoriumeve në vendet në zhvillim dhe varrezat në disa vende janë detyruar të zgjerojnë zonat.

Shumë ekspertë të shëndetësisë besojnë se numri zyrtar i të vdekurve duhet të jetë më i lartë.

Javën e kaluar, shteti indian i Biharit rriti ndjeshëm numrin e vdekjeve të COVID-19 pas zbulimit të mijëra rasteve të pa raportuara, duke i dhënë zë shqetësimeve se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Indi është dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare.

Ndërsa vendet e varfra kanë vështirësi të vaksinojnë popullsitë e tyre për shkak të mungesës së vaksinave, vendeve më të pasura u është kërkuar që të dhurojnë më shumë furnizime për të kontrolluar pandeminë.

Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) u zotua të sigurojë 1 miliard doza vaksinash COVID-19 për të ndihmuar vendet e varfra të vaksinojnë popullsinë e tyre./VOA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here