Presidenti Ilir Meta në një konferencë të jashtëzakonshme nga zyra e tij, ka kërkuar nga ndërkombërët në vendin tonë që të reagojmë më shpejt, pas incidenteve që ndodhin në fushatë. Sipas tij në rast se ata do të dënonin aktet e dhunës, atëherë shumë prej ngjarjeve të rënda kriminale do të ishin parandaluar.
“U bëj thirrje ambasadorëve që të jenë më të shpejtë me qëndrimet e tyre, nëse do kishit reaguar më herët, situata nuk do të kishte arritur deri në këtë pikë.
Nëse do kishin reaguar pas sulmit në Kavajë të dënonin sulmin e agresorëve ndaj opozitës nuk do kishte ndodhur vrasja në Elbasan.
I bëj thirrje Ardi Veliut që të ketë kujdes, pasi nuk të mbron dot Edi Rama ty, ai nuk mbron dot as veten e tij, kur të vijë dita do të nxjerrë kartelën dhe do të thojë që vetë më votuat. Zbatoni ligjin, do të ketë ligj special që të mos futet më askush në administratë që ka kryer krime zgjedhore”, tha Meta gjatë fjalës së tij.
Kjo deklaratë e presidentit Meta vjen një ditë pas asaj të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila kërkoi vetëpërmbajtje nga të gjitha palët pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Kim i bëri thirrje Metës, Ramës dhe Bashës që të tregojnë kujdes me retorikën e tyre, pasi mund të prodhojnë tensione.
“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen.
Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë përmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, thuhej në deklaratën e ambasadës amerikane.
infowebtv