Biden kërkon miratimin e ligjeve për të drejtën e votës: Garantojnë zgjedhje të lira

0

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris vizituan të martën shtetin jugor të Xhorxhias për të promovuar projektpropozimin për të drejtën e votës, që do të zgjeronte thellësisht fushë-veprimin e qeverisë federale mbi zgjedhjet, por që ka ngecur në Senat.

Në fjalën e tij, Biden mbrojti të drejtën për të votuar në zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta, të panjollosura nga manipulimet partiake, ndërsa u shpreh se mënyra për t’i garantuar këto të drejta është miratimi i dy projektpropozimeve të paraqitura nga demokratët.

“Ditët në vijim, kur këto projektligje të hidhen për votim, do të shënojnë një pikë kthese në këtë vend. A do të zgjedhim demokracinë mbi autokracinë, dritën mbi hijen, drejtësinë mbi padrejtësinë? Unë e di qendrimin tim. Unë nuk do të zmbrapsem. Do të mbroj të drejtën tuaj për të votuar dhe demokracinë tonë kundër të gjithë armiqve, të huaj apo të brendshëm. Lind pyetja se çfarë qëndrimi do të mbajë Senati i Shteteve të Bashkuara?”, njoftoi Zyra e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter Presidenti Biden tha më pas se: “Historia nuk është treguar kurrë e mirë ndaj atyre që kanë mbështetur shtypjen e votuesve përballë të drejtës së votës. Dhe nuk do të tregohet e mirë ndaj atyre që dështojnë të mbrojnë të drejtën e votës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu