Ç’na tregoi vizita e znj. Vjosa Osmani!

0

Nga: Anisa Bahiti
Javën e shkuar Kryetarja në detyrë e shtetit të Kosovës dhe Kryetare e Parlamentit të Kosovës, bëri një vizitë zyrtare në Tiranë. Kjo nuk ishte as vizita e parë e Vjosës, as e para e një Kryetari Parlamenti, as edhe një presidenti në detyrë ose jo. Por kjo vizitë, si asnjëra më parë e llojit të vetë, nuk ka bërë kaq zhurmë dhe stuhi politike në Tiranë.
Një stuhi mediatike e paparë herë tjetër u sul kundër znj. Osmani kur ajo mbaroi vizitën, madje një pjesë e kësaj stuhie edhe në Kosovë. Nuk bëhet fjalë as për mungesën e kryeministrit në parlament, se ajo edhe mund të ndodhë, varet nga axhenda, as për mungesën e një deklarate pas takimit me kryeministrin, pasi edhe kjo teorikisht mund të ndodhë. Nuk bëhet fjalë as për faktin që mungesa e respektit publik ndaj një zonje në detyrë shumë të lartë dhe të miredukuar në Perendim, pasi e dimë, që politika shqiptare është shumë mashkullore.
Nuk bëhet fjalë as për peshën politike të znj.Osmani, ajo tashmë nuk është më në LDK, nuk ka krijuar parti të vetën dhe nuk përbën kërcënim politik për askënd për momentin. Po pse gjithë ky mllef dhe stuhi mediatike ndaj kësaj vizite dhe znj. Osmani?!

Arsyeja qëndron tek mesazhet publike dhe gishtin që vuri në plagët e hapura, të vjetra dhe të reja, andej dhe këtej kufirit.
Së pari, ajo kujtoi dhe nderoi figurën e një ish-ushtaraku shumë të lartë të para komunizmit, Sulejman Vuciternën, paraardhes i afërt i zonjës Osmani. Është koha kur akoma në Shqipëri nuk është kërkuar falje për krimet që partizanët shqiptarë kanë bërë në Kosovë pas 1944-ës së bashku me forcat Jugosllave, sikundër masakra e Gjilanit apo dhe vrasja dhe eliminimi i Shaban Polluzhës.
Pa përmendur këtu vrasjen dhe eleminimin e Prek Calit, apo çarmatosjen në Kukës të të rinjve shqiptarë të Kosovës dhe masakrimin e tyre në Tivar disa ditë më vonë nga partizanët serbo-malazezë, siç është rrëfyer me detaje në një libër shumë të bukur të Zekeria Canes.
Përndjekja e kosovarëve në Shqiperi vijoi edhe pas prishjes me Jugosllavine e Titos, ndaj le te themi se plagët e hapura nga premtimet e shkelura në Konferencën e Bujanit, më 1943-shin, vazhdojnë të kenë shenjat e tyre në mes kufirit shqiptaro-shqiptar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në dënimin e krimeve të njësive të Xhaferr Devës në 4 shkurt të vitit 1944.
Pa vendosur paqe mbi të vdekurit e historisë sonë të përbashkët s’do mund të kemi paqe sociale historike mbi të ardhmen e përbashkët kombëtare. Askujt më shumë se Serbisë nuk i intereson hapja e plagëve të përbashkëta të së shkuarës, kur Kosova dhe Shqipëria ishin i njejti shtet, paçka se ky bashkim ndodhi në kushtet specifike të Luftës së Dytë Botërore. Por kjo përçarje nuk vlen vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen.
Sot, dyshja politike Rama-Vuçiç, bashkë me Zaevin, në Maqedoninë e Veriut kanë forcuar projektin e tyre politik të “Mini-Shengenit”. Ka pro dhe kundra këtij projekti politik dhe ekonomik në Ballkan. Sigurisht, ata që janë më kundra janë shqiptarët e Kosovës.
E para, ata e kanë provuar tre herë ngritjen e një Jugosllavie dhe sa herë e kanë provuar, aq herë e kanë pësuar. Ata janë të dëshpëruar, sepse ashtu si në 1944-ën, Tirana është më afër Beogradit sesa Kosovës. Ata e kuptojnë mirë se çdo tentativë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, kalon nga një Jugosllavi e re, ndryshimi i kufinjve shtetërorë, apo dhe inkriminimi politik i Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Nga ana tjetër, të gjithë e kuptojnë që “Mini-Shengen” pa Kosovën nuk ka! Ndaj kjo shkakton nervozizëm tek Tirana qeveritare, e cila çdo dështim dhe krizë të brendshme politike dhe institucionale është munduar ta kompensojë në BE dhe SHBA, me tezën e dëgjueshmërisë ndërkombëtare në rajon.
Plagët tona të përbashkëta nuk vijnë prej vizitës së Vjosës, kështu ka qenë edhe me Rramush Haradinaj, edhe me Albin Kurtin, pa i dhënë fund paternalizmit politik s’do mund të kemi një të ardhme të sigurtë dhe të sinqertë shqiptaro-shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu