Dita e dytë e vizitës/Meta takon Ahmetin e Kovaçevskin: Negociatat me BE sa më parë

0

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në ditën e tij të dytë të vizitës zyrtare 3-ditore në Maqedoninë e Veriut, është takuar sot me liderin e BDI, Ali Ahmeti, me të cilin shkëmbyen vlerësime të vlefshme për zhvillimet e dy vendeve, ku në fokus ishin përshpejtimi i procesve integruese përsa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Në një postim në Facebook në lidhje me këtë takim, Presidenti Meta u shpreh se më tej në takim u diskutua gjithashtu edhe rëndësia e zbatimit të projektit madhor të Korridorit të 8, që do të lidhë më shumë vendet tona.

Më pas Presidenti Meta ka zhvilluar një takim me liderin e opozitës maqedonase, kryetarin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Me anë të një postimi në Facebook, Meta tha se gjatë këtij takimi u theksua roli i rëndësishëm i opozitës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, me qëllimin e përbashkët çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kreu i shtetit shqiptar ka nisur ditën e djeshme një vizitë zyrtare tre-ditore në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me homogolun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski. Në takimin mes tyre u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve dhe u shpreh kënaqësia për zhvillimin pozitiv të tyre, përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe shkëmbimit të vizitave në nivelin më të lartë.

Më pas, Meta ka shkuar në Memorialin e ‘Nënë Terezës’ në Shkup, ku ka vendosur një tufë me lule, ndërsa me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se e ka nisur vizitën pikërisht me nderimin më të madh ndaj shembullit frymëzues dhe humanizmit të Shenjtores së madhe të kombit shqiptar dhe mbarë njerëzimit, Nënë Terezës. Më pas, Presidenti Meta ka marrë pjesë në ligjërimin me temë: “Shqiptarët në mileniumin e ri – sfidat dhe perspektivat” në Institutin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Pasditen e djeshme, Meta është pritur në takim nga Krryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Telat Xhaferin, me të cilin kanë diskutuar për një sërë çështjesh duke nisur nga anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Meta falenderoi Xhaferin, për respektimin e këtyre të drejtave, ndërkohë që shtoi se liberalizimi i vizave të Kosovës do sjellë stabilitet dhe siguri në rajon.

Për shkak të vizitës së Presidentit Meta në Maqedoninë e Veriut, policia atje ka njoftuar se në qytetin e Shkupit këto tre ditë do të ketë kufizim të trafikut të automjeteve në disa akse rrugore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu