Gjykata dën me 9 vite burg Violeta Donaj, gruan që vrau burrin në mes të tregut

0

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur dënimin me 9 vite burg për 39-vjeçaren Violeta Donaj, e cila tre vite më parë vrau bashkëshortin e saj Kujtim Donaj në tregun e Milotit. Ngjarja ndodhi më 17 qershor të vitit 2018, ku Kujtim Donaj u ekzekutua me armë zjarri nga bashkëshortja.

Si ndodhi vrasja e Kujtim Donaj

Më 17 qershor, 39 vjeçarja ka ekzekutuar me pistoletë Kujtim Donajn, bashkëshortin e saj. “Eja tek tregu”, ishte komunikimi telefonik i fundit mes bashkëshortëve.

Violeta Donaj ishte ajo e cila mbërriti e para në treg me automjetin e saj SMART, ngjyrë e kuqe e errët, me targa AA389LR. Pas këtij momenti, ajo i ka telefonuar bashkëshortit të saj që të vinte te kioska ku ata tregtonin, për të sistemuar mallin. Në momentin që Kujtim Donaj, 42 vjeç, ka mbërritur pranë vendit të punës, ai është qëlluar me tre plumba pistolete TT, pas shpine nga bashkëshortja e tij.

38-vjeçarja ka deklaruar para trupit gjykues se ka vrarë bashkëshortin pasi ai e dhunonte dhe linte paratë në lojërat e fatit.

Vendimi gjykatës së Kurbinit

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehurën Violeta Donaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit ”, e parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin me vendimin nr. 1008-136 datë 09.10.2020 ka vendosur deklarimin fajtore të të pandehurës Violeta Donaj, për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe dënimin me 17 vjet burgim, dhe deklarimin fajtore për veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit ”, dënimin me 3 (vjet) vjet burgim.

Në aplikim e gjykimit të shkurtuar dënimin përfundimisht me 17 vjet burgim.-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura Violeta Donaj, ku kërkoi ndryshimin e vendimit penal, për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale nga “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare” në veprën penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 485 datë 26.10.2021 vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr.1008-136, datë 09.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal. Ndryshimin e këtij vendimi për pjesën tjetër të tij, si më poshtë: Deklarimin fajtore të të pandehurës V.D, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike” parashikuar nga neni 82 i K.Penal dhe dënimin e saj me 7 vjet burgim. Ne zbatim te nenit 55 te K.Penal, dënimin përfundimtar të të pandehurës me 9 vjet burgim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu