Habiten turistët në fshatin pa njerëz në jug të vendit

0

Ky çift ka zgjedhur Piqerasin për të kaluar një pjesë të pushimeve. Tregojnë se ju ka pëlqyer shumë vendi ynë, po ajo që ju ka bërë përshtypje është zbrazëtia e fshatrave.

“Jemi nga Libia dhe Kanadaja. Kemi ardhur të eksplorojmë Shqipërinë këtë natyrë të mrekullueshme, me gjelbërim me det me aromë të mrekullueshme. Shqiptarët janë të mirë, miqësorë të dashur, por nuk po shohim shumë njerëz në këto fshatra”.

Në rrugët e këtij fshati veç këtyre pushuesve nuk të zë syri tjetërkënd.

“Piqerasi fshati plot histori dhe kulturë. Me një ndërthurje të mrekullueshme të malit dhe detit, dikur gumëzhinte sot vuan braktisjen masive të banorëve të tij”

Duket sikur historia përsëritet. E këtë e tregon fare mir ulli 1 mijë vjecar i lotëve. Sipas gojëdhënave u mboll në periudhën bizantine. Pikërisht tek ky ulli nënat dhe gratë përcillnin në emigracion fëmijët dhe bashkëshortët e tyre. Ato qëndronin këtu se kishin fushëpamje më të gjere në det.

“Lotonin mbi këtë ulli “ Quhet “Ulliri i lotëve” sepse në ate pozicion në fund të fshatit që shihej deti për karshi iknin me ato varka primitive të asaj kohe edhe i përcillnin gratë. Nuk ishte koha e sotme që ikin me fëmijë e me familje. Qanin gratë e i ngeli emri sepse atje qahej, tregon historinë e Ullirit të Lotëve”, Mihal Nini.

Spiridhula Gjezo nuk vajton si të parët e saj për fëmijët që I kanë emigruar, tek ulliri, por në shtëpinë mbi këto lule për të cilat thotë se kujdeset sikur ti kishte fëmijë.

“Ja siç i sheh lulet me japin jetë, me duket sikur janë fëmijët e mi të ulur këtu, aq shumë jetë më japin lulet. Mendoj se ndoshta edhe këtu do rilindi një filizë e re, tani që po ta përshkruaj këtë më dridhet mishi se kemi nevojë për një fjalë të ngrohtë e për njerëz. Kemi ngelur të vetëm”, thotë Spiridhula Gjezo.

Vetminë e ndjejnë dhe banorët të tjerë të fshatit.

“Ne këtu kemi një vend të bekuar qoftë me ajrin qoftë me klimën me të gjitha të mirat. E vetmja e keqe është që kemi ngel vetëm pa femijë, fëmijët kanë ikur edhe nuk e dimë a do të kthehen më. Jeta nuk është vetëm të hamë një kafshatë bukë. Jeta është të kesh familjen plus që na mungojnë edhe shokët”, thotë Mihal Nini.

Nuk besojnë se në të ardhmen Piqerasi do të popullohet.

“Njerëzit vajtën jashtë, panë, morën kulturë dhe jetojnë mirë, shumë e vështirë, që Piqerasi të bëhet si dikur me 200 e 300 shtëpi nuk bëhet më, shprehet me pesimizëm Aleksandër Prifti”.

Të ardhurat e vetme me të cilat jetojnë i sigurojnë nga pensionet dhe turizmi, por dhe për këtë vit prej pandemisë nuk kanë shumë shpresa se mund të vijnë shumë pushues. Për të mos shpenzuar para detyrohen të mbjellin vetë produkte bujqësore.

“Turistë ka pasur vitet e parë shumë, tani pandemia i bëri keq njerëzimit, presim që të vijnë por njerëzit kanë marrë frikë. Njerëzit këtu mbjellin, punojnë kopshtet, që të kursejnë e të blejnë atë që nuk e prodhojnë. Unë mbjell qepë, domate, speca, fasule. Perimet të gjitha që edhe të ushqehem bio edhe të kursej”, tha Spiridhula Gjezo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu