Hulumtimi i ri ofron këshilla se si të menaxhoni emocionet dërrmuese

0

Një hulumtim i ri i botuar në revistën akademike Canadian Psychology përpiqet të përcaktojë një koncept të rëndësishëm në psikologjinë klinike: mosrregullimin e emocioneve. Ata sugjerojnë se mosrregullimi i emocioneve është në zemër të shumë çrregullimeve psikologjike.

“Mosrregullimi i emocioneve është një konstrukt që vetëm kohët e fundit ka filluar të studiohet në kontekstin e shëndetit mendor, pavarësisht se emocionet luajnë një rol kaq të madh në jetën tonë të përditshme,” tha për Forbes Arela Agako, një psikologe në Universitetin McMaster në Kanada dhe autorja kryesore e hulumtimit. “Ne ishim të interesuar të mësonim se çfarë është në të vërtetë mosrregullimi i emocioneve, në mënyrë që ta studiojmë më mirë.”

Ata zbuluan se hulumtimet e kaluara mbi mosrregullimin e emocioneve bashkohen rreth pesë temave të gjera: aktivizimi i trurit, fiziologjia, njohja, sjellja dhe përvoja individuale. Të kuptuarit se si ndjehen dhe përpunohen emocionet mund t’i ndihmojë studiuesit dhe mjekët të diagnostikojnë dhe trajtojnë problemet emocionale. Sipas studiuesve, mosrregullimi i emocioneve bëhet problematik kur shkakton shqetësim të madh ose fillon të ndërhyjë në aftësinë e dikujt për të përballuar përgjegjësitë e përditshme.

Autorët ofrojnë disa këshilla për njerëzit që luftojnë për të mbajtur nën kontroll emocionet e tyre. Për shembull, ata sugjerojnë:

1. Gjeni kohë për emocionin, mundësisht në një mjedis komod ku mund t’i kushtoni disa minuta pa u ndërprerë.

2. Vini re saktësisht se si ndihet emocioni në trupin tuaj.

3. Përpiquni ta emërtoni.

4. Reflektoni nëse emocioni ishte i justifikuar.

5. Nëse është i justifikuar, pyesni veten se çfarë ju thotë emocioni për çfarë keni nevojë në atë moment. Nëse jo, pyesni veten nëse ka një mënyrë tjetër për të menduar për situatën.

“Nëse ende e keni të vështirë me emocionet ose përfshiheni sërish në sjellje të padobishme pas këtyre hapave, atëherë duhet të kërkoni ndihmë te profesionistët e shëndetit mendor,” thotë Agako.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu