Ja pse u paralizua kontrolli i hapësirës ajrore dhe fluturimeve në Shqipëri

0

 

Ekipi i kontrollorëve të trafikut ajror të kompanisë shtetërore Albcontrol është përfshirë së bashku me Sindikatën e Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror në një grevë e cila ka paralizuar plotësisht transportin ajror në aeroportin e vetëm në vend, “Nënë Tereza “. Kontrollorët u futën në kullën e kontrollit duke refuzuar të punojnë dhe të dalin prej saj.

Ky zhvillim erdhi pasi kontrollorëve u janë ulur pagat rreth 50 për qind, nga rreth 4400 usd pagë mujore në afro 2500 usd. Kontrollorët deklaruan se ulja e pagës u ka krijuar stres duke ua pamundësuar punën dhe braktisën punën pa afat.

Në deklarimin e tyre ata shprehen se janë të paaftë për të operuar për shkak se ndihen në stres për vështirësinë financiare që i ka rrezikuar kreditë, probleme familjare si pasojë e vështirësisë financiare, etj.

Ndërsa Albcontrol thotë se po vjel 57 për qind më pak të ardhura nga kompanitë e fluturimeve si burim i vetëm financimi, kontrollorët sugjerojnë që shteti të sunvencionojë pjesën e zbritur të pagës.

Autoritetet shtetërore janë vënë në lëvizje. Ish drejtorja e Albcontrol, sot ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku shkoi në Rinas dhe tha para gazetarëve se “protesta e kontrollorëve të Albcontrol në aeroportin e Rinasit është një situatë e paprecedentë që ka cenuar sigurinë kombëtare të vendit dhe do të merren masat ligjore përkatëse”.

Balluku tha se, “greva e tyre për të kërkuar financim të pagës nga shteti vjen në një kohë që shteti nuk ka asnjë marrëdhënie involvimi financiar në AlbControl, pasi kjo e fundit të gjitha të ardhurat i merr nga trafiku ajror”.

Ajo tha se qeveria i trembet abuzimit dhe pohoi se nëse kërkesa për subvencion pranohet, kërkesat mund të rriten edhe më abuzivisht.

Nga ana tjetër, grevistët pohojnë se kanë bërë përpjekje që në qershor 2020 kur u ulën pagat që të negociojnë me Qeverinë, por kanë hasur me indiferencë nga ministrja Belinda Balluku.

Një nga kontrollorët e trafikut ajror, Eni Mehja, duke folur sonte në A2, tha se ai dhe kolegët e tij nuk e kanë cenuar sigurinë kombëtare. Sipas tij, ata do ta cenonin nëse do të kishin punuar në gjendje stresi.

“Kjo situatë është krijuar prej një viti. Ne si kontrollorë jemi punonjës të devotshëm dhe të mirëtrajnuar për të kryer detyrën tonë. Çdo gjë që është thënë sot është thënë në mënyrë abuzive. Ne kemi detyrë për të ofruar siguri për linjat ajrore. Ne do ta kishim cenuar sigurinë nëse gjatë gjithë kësaj kohe që kemi qenë të stresuar, do të futeshim në ambientet e punës dhe do të kishim punuar. Unë kam dhënë paaftësinë e përkohshme, që e kemi në procedurën standard. Nëse një kontrollor e ndjen veten të stresuar e të lodhur, ka të drejtë të shpallë paaftësinë e përkohshme. Ai duhet të paraqitet në vendin e punës, por të mos punojë në frekuencë”, deklaroi Mehja.

Çfarë ndodhi që situata degjeneroi kështu?

Drejtuesit e Albcontrol kanë rishikuar pagat e stafit. Ata deri në 2020 merrnin deri në 440 mijë lekë ose 4.400 dollarë amerikanë në muaj, ndër rrogat më të larta në Shqipëri. Pagat përcaktohen në marrëveshje mes Albcontrol dhe IATA (përfaqësuese e kompanive ajrore). Megjithatë në fund vendos qeveria me VKM. Për periudhën në vazhdim është vendosur që pagat të ulen në 244900 lekë ose 2449 usd në muaj.

Ky ndryshim gati me 50 për qind i pagës ka nxitur 65 kontrollorët që të reagojnë dhe mos e pranojnë vendimin.

Problemi tani është se qeveria nuk mundet as ti zëvendësojë këta punonjës. Të gjithë punonjësit e kontrollit ajror janë të trajnuar në akademitë më të mira dhe kanë punuar me vite për të marrë licencën e vlefshme ndërkombëtare. Do të duhej shumë kohë që të përgatiteshin kontrollorë të rinj.

Një kontrollor punon 17 ditë në muaj dhe kanë 5 javë pushime vjetore, veç privilegjit të pagave.

Por si dalin të ardhurat e Albcontrol? Shteti nuk e financon këtë kompani. Albcontrol mbush buxhetin e saj me taksat dhe tarifat që mbledh nga kompanitë e fluturimeve.

Kontrollorët e trafikut ajror në 2019 që ka qenë viti i fundit i rregullt, ka elaboruar, përpunuar, operuar në total gjatë vitit, 216 mijë avionë. Ndërkohë që gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti kanë operuar me 102 mijë avionë.

Pra trafiku në totalin e tij për shkak të pandemisë ka rënë me 57 % në 2020, ndërkohë që edhe në janar, shkurt, mars, trafiku ka qenë -57 %. Pra operatorët e navigimit ajror, kontrollorët e navigimit ajror përpunojnë prej 14 muajsh, 43 % të trafikut normal në Republikën e Shqipërisë.

Në këto kishte Albcontrol thotë se është në pamundësi financiare për të mbajtur pagat e mëparshme.

Por ulja refuzohet dhe prej disa kohësh ka pasur presion nga kontrollorët e trafikut ajror që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme, pra shfuqizimin e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të datës 4 prill 2020 dhe vendosjen edhe një herë të pagës së mëparshme.

Lind pyetja, përse kanë rroga kaq të larta kontrollorët? Albcontrol merr para nga kompanitë ajrore për trafikun që përpunohet. Sipas ligjit shqiptar asaj nuk i lejohet që të krijojë rezerva financiare. Ndërsa nuk merr nga buxheti i shtetit, as mund ti kalojë ndonjë pjesë të të ardhurave. Në të kundërt, në rast se në fund të vitit rezulton me depozita parash, duhet t’ia kthejë kompanive ajrore. Për të mos ndodhur kjo, Albcontrol aplikon rrogat marramendëse.

A është greva e ligjshme?

Albcontrol është e vetmja kompani e sigurisë së lartë që ofron shërbim jetësor në vendin tonë. Kodi i Punës thotë se “greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, personale ose të një pjese të popullsisë”.

Gjithnjë sipas Kodit të Punës, “shërbimet e trafikut ajror që konsiderohen jetësore nuk mund të ushtrojnë grevë“.

Për qeverinë dhe ministren Balluku kjo është një grevë e pastër ilegale në thyerje të Kodit të Punës.

“Është një grevë, sepse janë deklaruar të gjithë në të njëjtin moment dhe model kërkese, duke futur në kolaps sistemin e navigimit ajror në Republikën e Shqipërisë”, thotë Balluku. Sipas saj, “këtu preket çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, preket siguria kombëtare e vendit dhe këtu është prekur edhe e drejta e lëvizjes së lirë të qytetarit”.

Balluku foli sot për hakmarrje të shtetit kur tha se “nga ky moment do të marrim disa masa të rëndësishme ligjore, të cilat nuk do të jenë të mira për askënd”.

Ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha beson se pas kësaj situate qëndron Kryeministri. “Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij”, tha Basha.

Ushtria në Rinas?!

Pas grevës së kontrollorëve të ALBControl, kanë ndërhyrë Ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Këta të fundit kanë zbarkuar në Aeroportin e Rinasit. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se ata kanë marrë në mbrojtje ndërtesën. Për qeverinë, “njerëz që kanë vendosur të bllokojnë hapësirën shqiptare, mund të kryejnë edhe veprime të tjera që mund të vinin në rrezik të gjithë vendin”.

Meta shpreh shqetësim, Rama lëshon ultimatume dhe akuza politike

Nga Tepelena, kreu i qeverisë shqiptare foli për tentativë për rrëzimin e shtetit, të qeverisë, ndërsa fajësoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta se po ndikojnë në grevë: “Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm, është marrë peng aktiviteti i aeroportit “Nënë Tereza” i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha ka dalë hapur duke nisur këtë akt, dhe Ilir Meta ka hedhur gurin. Një gur që quhet ‘leshko’,” tha Rama.

Kurse lëshoi këtë ultimatum: “Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallëzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!”

Në mbrëmje vonë, Balluku njoftoi se policia do të lirojë ndërtesën “nga kontrollorët që nuk duan të jenë më kontrollorë”.

Por për Presidentin Ilir Meta, ndonëse ndërprerja e punës nuk është zgjidhje, injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është i drejtë.

Greva, në vigjilje të një stërvitjeje të NATO

Për pak ditë në Shqipëri pritet të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Situata duket delikate. Ndërsa Rama thotë se i ka kallëzuar penalisht 65 kontrollorët, këta të fundit janë në grevë. Balluku nga ana tjetër tha se nëse nesër nuk kthehen në punë, do të shkarkohen. Por, kush do të menaxhojë trafikun ajror më pas?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu