Ku ishte shteti kur u ndërtua pa leje? Përgjigjet Rama: Hetimi do i nxjerri në shesh të gjitha

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes se ku ishte shteti në momentin që në vend po ndërtohej pa leje. Me anë të një postimi në Facebook, Rama tha se pyetja e duhur për këtë është se ku ndodheshin inspektorët në momentin që janë bërë abuzime të tilla. Rama shkruan se hetimi që ka nisur do t’i jap fund ndërtimeve pa leje. Po ashtu ai ka theksuar se nëse një ndërtues do e kishte blerë atë me metra, operacioni për konfiskimin e ndërtimeve pa leje nuk do të ndodhte fare.

Postimi i Ramës:

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA? E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh nga të gjithë ata që janë të interesuar të informohen: E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se sa deri dje, kur mbizotëronte rrumpalla e kudondodhur.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, me kronometër apo kohë të shkurtër. Kjo është një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit dhe i ligjit në terren nuk merret kollaj, po merret hap pas hapi, me mund e durim të madh. E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe mbështetet në një vullnet të papërkulur nga vitet, për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund. E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme. E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë, për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë po të ishin në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.

Rama paralajmëroi ndërtuesit një ditë më parë. Ai tha prerë se çdo kullë e ngritur për përfitim ekonomik do të prishet apo dhurohet në mënyrë të publikut. Kreu i qeverisë përmendi dhe pallatin e ndërtuar në Farkë dhe kërkoi gjithashtu heqjen e shefit të komisariatit që ka lejuar ngritjen e kësaj godine pa leje. Pa përmendur emra, Rama tha se milionerët që ngrenë kulla pa leje do të ndiqen penalisht nëse nuk pranojnë parablerje apo ta dhurojnë pronën për publikun. Gjithashtu, kreu i qeverisë shtoi se nëse ndërtuesi tenton të përdorë gjykatat, do shuhet si faktor ekonomik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu