Kush janë dy kategoritë e hajdutëve që vjedhin, disa nuk dinë as të shkruajnë

0
Burglar entering through the balcony window

Përmbi firmës së oficerit të policisë bie në sy një gjurmë boje e lënë përmes gishtit. Është shenja dhe marrja dijeni për veprën penale e një të mituri, i cili pasi ka marrë dijeni për veprën duhet të firmoste. Burime të gazetës ‘Si” tregojnë se tre fëmijët me inicialet B.SH, A.K dhe N.E u identifikuan si hajdutë të një kioske në zonën e Laprakës. “Fëmijët u identifikuan pranë pallatit të Sportit ‘Asllan Rusi’ në afërsi të një stacioni autobusësh ku dhe ndodhet kioska”, referon në procesverbal oficeri i policisë së zonës.

“Ata kishin dalë nga shtëpia për të vjedhur cigare dhe ç’të gjendej në objektin që e kishin piketuar gjatë ditës”, konkludon në përfundim grupi i hetimit, sipas të cilit, adoleshentët dhe fëmijët në disa zona, nuk e kanë për gjë që të sulmojnë kioska apo dyqane. Jo vetëm për të vjedhur produkte ushqimore në të shumtën e rasteve, por për të marrë prej andej edhe artikuj të tjerë si pije dhe cigare.

Nga evidentimi i mëpasshëm policia shpjegon rolin e secilit nga tre fëmijët, ku njëri prej tyre me inicialet A.K qëndron në distancë për të bërë roje, kurse dy të tjerët mbasi hapin derën e kioskës nga ana e pasme hyjnë brenda.

Policia përpilon të dhëna në procesverbale, duke saktësuar se fëmijët nuk e kryen dot vjedhjen e produkteve pasi një patrullë e rendit në këtë aks rrugor i ka zbuluar dhe i ka kapur në flagrancë. “Të dyshuarit u dërguan në komisariat – shton për tej grupi i hetimit për gazetën Si – dhe aty ata pranojnë se po vidhnin ç’tu kapte dora”, tregon një burim i gazetës Si, i cili më tepër është i shqetësuar për analfabetizmin e të dyshuarve që nuk kishin mundësi të shkruanin as emrin dhe jo për faktin që në dosjen e tyre shkruhen rekorde të shumta kriminale. “Që të gjitha janë vepra penale në fushën e vjedhjeve dhe agresionit ndaj pronës”, saktëson agjenti i policisë për gazetën Si, sipas të cilit një ushtri të miturish në kryeqytet kanë dalë nga kontrolli dhe është kthyer në një mision të pamundur rehabilitimi i tyre.

“Ne dyshojmë që nuk është vetëm pamundësia ekonomike, mungesa e vëmendjes së prindërve, por ç’është më e rëndësishmja varësia nga droga, përdorimi i hashashit. Ata mund të bëjnë çdo gjë për drogë”, shton zyrtari i policisë për gazetën “Si” dhe sipas tij të gjitha institucionet, kryesisht sistemi arsimor, kanë dështuar për të mbajtur nën kontroll adoleshentët.

“Sa i takon drejtësisë, natyrisht që as ajo nuk ia doli, fëmijët që trajtohen nën shërbim prove dhe për tre vite janë mbi 800 adoleshentë, shumica e tyre kthehen sërish në krim”, përshkruan në anonimitet zyrtari i policisë.

Edhe në rastin më të fundit, sipas burimeve të policisë pasi të miturit janë shoqëruar në komisariat dhe është kërkuar asistenca e psikologëve dhe e prindërve të tyre, kur është nevojitur marrja dijeni, dy prej tyre rezulton se nuk dinin të shkruanin. Për këtë ata kanë vendosur gishtin e madh si shenjë dalluese.

Përse vjedhin?

Është e pakrahasueshme por në kryeqytet evidentohen tashmë dy kategori hajdutësh që rrëmbejnë ushqime, cigare dhe pije. Nga njëra anë emigrantët e paligjshëm të cilët në disa lagje të kryeqytetit janë konstatuar nga pronarë objektesh duke rrëmbyer ushqime.

Të tjerët janë adoleshentë apo edhe minorenë që vijnë nga familje në pamundësi ekonomike pohon për gazetën Si një oficer i forcave të rendit, sipas të cilit bëhet fjalë për vjedhje të parëndësishme në vleftë ekonomike. Sidoqoftë edhe këto ngjarje janë krime ndonëse në fund zgjidhen me miratim urdhri penal.

Armë në fytyrë

Në rrugën “Lord Bajron” M.G punonte në dyqan. Në orën 19.45 ajo i përshkroi policisë se si hajdutët, ia behën në ambientet ku ajo po qëndronte vetëm.

“U futën dy persona me rroba të zeza, të mbuluar me kapuç dhe me doreza të bardha. Njëri nga personat mbante në dorë një pistoletë. Sapo u afruan te banaku njëri prej tyre më tha hape shpejt kasafortën dhe na jep lekët që ke aty”, dëshmon 59-vjeçarja.

Gruaja kujton se si iu lut hajdutit “Të lutëm mos më bëj gjë”. Kjo lutje e gruas i ishte drejtuar atij duke qenë se hajduti i mbante pa ndërprerje pistoletën në drejtim të fytyrës. Pasi grabitësit kanë marrë shumën që ishin lekët e xhiros prej 443 mijë lekë të vjetra e kanë urdhëruar “më thanë hape derën e magazinës dhe futu brenda. Unë isha e frikësuar nga veprimet e tyre dhe sapo e hapa derën, ata ikën me vrap”, shpjegon pranë komisariatit denoncuesja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu