“Po presin dhe filizat”: Kërcënimi i pandalshëm i pyjeve në qarkun e Elbasanit

2

Për shfrytëzimin pa kriter të pyjeve, banorët në Librazhd dhe Gramsh fajësojnë individë të palicensuar, kompanitë e licensuara si dhe autoritetet vendore, që sipas tyre kanë dështuar të marrin masa.

Bardha Nergjoni 

Përfshirja e fshatit Dardhë të Librazhdit në projektin “100 fshatrat turistikë” të qeverisë rreth 4 vjet më parë, u rriti shpresat banorëve se, pyjet e ahut që rrethojnë zonën, do të mund të shpëtoheshin. Por në mesin e qershorit këtë vit, tabela e vjetëruar është investimi i vetëm i qeverisë, ndërkohë që shfrytëzimi pa kriter i pyjeve nuk ka të sosur.

“Në zonën e pyjeve situata është shumë keq, sikur ke hapur tokë të re. Këta presin dhe filizat e njomë. Ka shumë zaptime të sipërfaqes pyjore,” thotë Haqif Duka, banor i zonës. “Nuk reagon askush për shfrytëzimin e pyllit pa kriter për 30 vite,” ankohet ai.

Dardha shtrihet në këmbët e malit me të njëjtin emër dhe është një ndër zonat më të gjelbërta  në Shqipëri, duke përfshirë edhe rezervatin natyror Dardhë-Xhyrë. Por fshati me gati 2 mijë banorë nuk përfiton pothuajse asgjë nga pasuritë e veta natyrore, të cilat shfrytëzohen prej dekadash nga kompani të licensuara apo të paligjshme.

Një duzinë banorësh, kryesisht nga fshati i Dardhës në Librazhd, por edhe nga Gramshi dhe Elbasani, raportuan përmes një pyetësori të publikuar nga InfoElbasani se kishin dëshmuar prerje të paligjshme ose shfrytëzim jashtë kriterit të pyjeve në zonën e tyre. Ata dërguan gjithashtu fotografi që tregojnë dhjetra trungje të sharruara pemësh në mes të gjelbërimit ose fidanë të rinj të prerë në shkelje të ligjit.

Për shfrytëzimin pa kriter të pyjeve, banorët fajësojnë individë të palicensuar, kompanitë e licensuara si dhe autoritetet vendore, që sipas tyre kanë dështuar të marrin masa. Të lidhur ngushtësisht me pyllin, banorët ndjehen të pafuqishëm për të penguar prerjet masive.

Kryeplaku i fshatit, Sami Çekrezi tha se ata shikojnë me sy se si kalojnë qindra metërkub në ditë në rrugë, të cilat kanë leje dhe është e pamundur të kontrollohen nga vetë komuniteti.

“Ata thonë se janë me letra dhe se kanë licensa. Nuk i kontrollojmë ne. Banorët penalizohen për një gomar me dru, ndërkohë që këtu kalojnë 400 metër kub dru në ditë,” tha Çekrezi duke treguar me dorë nga rruga.

Një situatë e ngjashme mbizotëron edhe në zona të tjera të qarkut të Elbasanit. Në zonën turistike të Gjinarit në Elbasan, banorët ankohen gjithashtu për prerjet pa kriter.

“Nëse duhet të presë 3 me damkë, pret edhe 3 të tjera pa damkë. Nuk ka kontroll dhe mendoj se firmat janë të lidhura direkt me pushtetarët, pasi nuk ka kuptim tjetër që shteti nuk vepron pikërisht tek këta,” tha një banor në kushtet e anonimatit.

Njësoj si në Dardhë, edhe në Gjinar banorët ankohet se ndonëse jetojnë buzë pyllit, i blejnë drutë me çmim të kripur nga kompanitë e licensuara.

Kontratat e shfrytëzimit

Me reformën territoriale të vitit 2014, sipërfaqet pyjore të vendit kaluan nën administrimin e pushtetit vendor në Shqipëri. Megjithatë, bashkitë trashëguan kontrata afatgjata të shfrytëzimit të pyjeve, që i kishte firmosur më parë Ministria e Mjedisit.

Pas shpalljes së një moratoriumi të pyjeve, qeveria nxorri në vitin 2017 një udhëzim që lejonte prerjet rigjeneruese në pyje si dhe shfrytëzimin për dru zjarri. Ky udhëzim përcakton edhe kërkesat teknike që duhet të zbatohen nga subjektet, në rast të shkeljeve nga ana e tyre, por ndëshkimet në këtë drejtim kanë qenë pothuajse inekzistente.

Përmes kërkesave për të drejtë informimi, Bashkitë e Librazhdit, Përrenjasit dhe Elbasanit u përgjigjën se ata firmosin çdo vit anekse kontratash me kompanitë e licensuara më herët. Megjithatë, mekanizmat e kontrollit duken të pamjaftueshme.

Bashkia e Librazhdit, e cila administron rreth 25 mijë hektarë pyje, i tha InfoElbasanit se kishte 6 kontrata aktive për shfrytëzim me kompani apo bashkime kompanish të licensuara nga Ministria e Mjedisit në vitet 2012-2015. Tre prej kontratave shtrihen në zonën Dardhë-Xhyrë, dy të tjera në Polis dhe një kontratë përfshin ekonominë pyjore Neshtë-Prevall.

E pyetur për ankesat e banorëve, Bashkia e Librazhdit u përgjigj se në institucion nuk kishte mbërritur asnjë ankesë. Ajo nuk dha shifra konkrete mbi penalizimet e subjekteve, por shtoi se gjobat e vendosura për shkelje ishin ‘likujduar menjëherë’.

Bashkia e Gramshit administron rreth 134 hektarë pyje dhe ka aktualisht 4 kontrata me kompani private për shfrytëzimin e tyre.  Kjo njësi vendore ka kontrata shfrytëzimi dhjetëvjeçare ankandi të firmosura në 2008 dhe 2011 nga kompanitë “Al-Mex Ëood”, Kurora Sh.p.k & Ruzhdie Jança, person fizik.

Vetë institucioni vendor ka dhënë një kontratë me ankand firmës “Kopaçi” për shfrytëzimin për dru zjarri të zonave të dëmtuara nga faktorë të ndryshëm natyrorë. Bashkia e Gramshit i tha InfoElbasanit se kishte në plan mbarështimin e pyjeve, por nuk ka caktuar deri më tani fonde për zëvendësimin e pyjeve të dëmtuara.

Në Prrenjas shfrytëzohen rreth 165 hektarë pyje, kryesisht me një kontratë të vetë institucionit vendor me një subjekt privat për nevojat e tij dhe të komunitetit.

Edhe pse në bashkinë Elbasan ka sipërfaqe më të vogla shfrytëzimi, sërish nuk mungojnë kontratat e shfrytëzimit të pyjeve. Mësohet se janë 4 kontrata shfrytëzimi të pyjeve në Gjinar e Labinot Mal, ku edhe janë përqendruar ngastrat pyjore.

“Pyjet po zhvishen”

Në tre dekadat e fundit, Shqipëria ka humbur mijëra hektarë pyje, ndërsa drejtësia ka dështuar që të ndëshkojë personat përgjegjës. Pandëshkueshmëria vazhdon të mbetet e lartë, ndërkohë që shumë pak procedime përfundojnë në dyert e gjykatës.

Sipas Prokurorisë së Elbasanit, 21 procedime për prerje të paligjshme të pyjeve janë regjistruar në vitin 2019, por vetëm dy prej tyre me dy persona të akuzuar janë përballur me gjykatën.

Problemet nuk kanë munguar edhe në Zonat e Mbrojtura, ku prerja e pemëve është e ndaluar. Fatmir Brazhda, drejtues i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan tha se gjatë këtij viti janë mbajtur 14 procesverbale konstatimi për dëmtim të pyjeve.

“Të gjitha rastet janë referuar në Prokurori si vepër penale,” tha Brazhda. “Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë korrekt me Policinë e Shtetit, por duhet një koordinim më i mirë ndërmjet strukturave shtetërore për parandalimin dhe marrjen e masave ndaj kundravajtësve në pyje, sidomos të finalizimit të vendimeve nga prokuroria dhe gjykata ndaj shkelësve te ligjit,” shtoi ai.

Brazhda mendon se një qasje bashkëpunimi mes institucioneve dhe komuniteteve do të ulte presionin e shfrytëzimit të pyjeve –nëse do të punohej për ndërgjegjësim dhe plotësimin e nevojave të komunitetit për dru zjarri dhe lëndë të parë ndërtimi.

Por në fshatin Dardhë të Librazhdit, banorët thonë se historikisht kanë përfituar atë që ata e quajnë “oshafin e katundit”.

“Zona jonë nuk ka fituar asnjë gjë, vetëm se shfrytëzohet,” tha Haqif Duka për InfoElbasani. “Ne kemi dokumente të vjetra që na japin leje të shfrytëzojmë një pjesë të pyllit, por këtu po vijnë firma dhe po zaptojnë dhe ne nuk dimë asgjë çfarë bëhet,” shtoi ai.

Bedri Rrenga, një bletërritës në fshatin Dardhë u bie këmbanave të alarmit se zona të tëra po zhvishen dhe shpyllëzohen, ndërsa erozioni po merr përpara toka dhe kullota. Ai e sheh zgjidhjen tek një komision i pavarur ekspertësh, që të verifikojë kontratat e kompanive që shfrytëzojnë pyjet.

“…këto kontrata të mos rinovohen më, por t’i lihet një kohë pyllit të rigjenerohet,” tha Rrenga. “Nëse nuk ndodh kjo, për pak vite nuk do kemi më pyje në Dardhë,” përfundoi ai.

2 KOMENTET

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu