Sasia e një maje lapsi mund të jetë vdekjeprurëse/ Ç’është Fentanil – një drogë 50 herë më e fortë se heroina

0

UASHINGTON – Armët automatike të modifikuara ilegalisht, qindra mijëra dollarë para në dorë dhe 27 kilogramë fentanil u sekuestruan të gjitha nga një apartament në Seattle si pjesë e një operacioni mbarëkombëtar kundër opiateve sintetike. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve deklarojnë se drogat sintetike janë shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA, kryesisht fentanili, i cili mund të jetë 50 herë më i fortë se heroina.

Jacob Gelvan, një agjent special i Agjencisë së Zbatimit të Drogës në Seattle, thotë se fentanili është vdekjeprurës edhe në doza të vogla.

“Një sasi sa maja e lapsit është 2 miligramë dhe është një dozë vdekjeprurëse e fentanilit,”- thotë Gelvan. Agjenti kryesor i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Seattle, Robert Hamer , thotë se droga e sekuestruar erdhi nga Meksika përmes Arizonës. Sipas agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA, fentanili prodhohet me çmim të ulët nga kimikatet që vijnë kryesisht nga Kina dhe kontrabandohen në SHBA përmes Meksikës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning pretendon se nuk ka tregti të paligjshme të fentanilit midis Kinës dhe Meksikës.

“Të dy vendet kanë kanale për luftën kundër narkotikëve dhe departamentet përkatëse të ngarkuara nga të dyja palët ruajnë komunikim të mirë. Kina nuk ka marrë asnjë njoftim nga Meksika se kimikatet e përdorura për prodhimin e fentanilit nga Kina janë konfiskuar,” theksoi Ning.

Ndaj Shtëpia e Bardhë po ndërton një koalicion global për “parandalimin e prodhimit të paligjshëm të drogës, zbulimin e kërcënimeve të reja të drogës, parandalimin e trafikimit, adresimin e financave të paligjshme dhe përgjigjen ndaj ndikimeve në sigurinë publike dhe shëndetin publik”.

Presidenti Joe Biden tha se SHBA po dyfishon përpjekjet për të penguar rrjedhën e drogave sintetike, të cilat kanë marrë shumë jetë.

“Duke forcuar punën tonë të përbashkët në dialogun me Meksikën për drogën dhe duke ndërtuar një koalicion të ri global kundër opiateve sintetike, ne po punojmë për të eliminuar drogat vdekjeprurëse si fentanili nga komunitetet tona,” tha Biden.

Gelvan shpjegoi se disa pilula janë pikturuar me ngjyra ylberi për t’i bërë ato më tërheqëse për klientët më të rinj që gjenden në mediat sociale. Po ashtu shton se kartelet e drogës nuk shohin asgjë të keqe në shitjen e pilulave fentanyl që mund të vrasin klientët e tyre, sepse madhësia e tregut që ata mund të arrijnë në mediat sociale është aq e madhe sa rreziku ia vlen./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu