Sikur Krishti…

0

Dje ishte Krishtlindje. Janë këshëndellat më të çuditshme që moshatarët tanë mbajnë mend, ndoshta dhe më të vështirat. Pandemia, izolimi, varfëria dhe pamundësia për shumë kënd i bënë këto Krishtlindje të vështira, sepse pavarësisht halleve, njerëzit festojnë dhe gëzojnë edhe kur nuk kanë mundësi.
Por njeriu e ka kujtesën e shkurtër, ndaj i lidh festat vetëm me luksin, qejfin dhe defrimin. Po ç’do të ndodhte nëse Jezu Krishti do të kishte ardhur fizikisht të takonte çdonjërin nga ne këtë natë?!
Ai do t’i thoshte të varfërve: ”Mos u shkurajoni këtë vit as nga sëmundja, as nga varfëria, sepse të Fundit do jenë të Parët dhe njeriun e çon përpara shpresa dhe dashuria”.
Sikur Krishti të kishte ardhur në shtëpitë e të gjithëve, jo vetëm te besimtarët por te të gjithë hallexhinjtë; jetimët, pleqtë të braktisur nëpër azile, tek të sëmurët me covid, familjarët e tyre do t’u thoshte, se ai lindi nga 2 prindër shumë të varfër, që u transferuan në Betlehem, ku ai lindi në një haur të ftohtë dhe të vogël e pa dritë, sepse me të erdhi drita e shpresës për të pamundurit.
Sikur Krishti të ishte në familjet tona këtë natë Krishtlindje, ai nuk do zgjidhte të shkonte as në ndonjë familje politikani, as oligarku, as ndonjë krimineli të pasuruar, por në familjen e atij që lutet për “bukën e përditshme falna sot o Zot”, siç thoshte Migjeni.

Sikur Krishti të kishte ardhur në familjet tona, nuk do vinte me asnjë nga ato supermakinat luksoze dhe as me avion privat, siç udhëtojnë politikanët tanë, por do vinte në kembë, si shumica e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
Sikur Krishti të vinte sot në familjet tona, nuk do vinte as me prepotencë, dhe as me arrogancë, por do shkonte t’i zbuste dhimbjet atyre që humbën të dashurit e tyre këtë vit, të atyre që u hodhën nga spitalet, apo dhe të atyre që s’mbërritën dot të shkonin në spital por vdiqën në ambulancë.

Sikur Krishti të vinte sot edhe tek familjet tona, të muslimanëve të këtij vendi që festojnë njëherësh edhe festat e sivëllezërve të tyre shqiptarë të krishterë, do të festonte bashkë me të gjithë ne. Krishti erdhi edhe këtë vit të vështirë, lindi bashkë me shpresën dhe dritën që sjell një fëmijë i sapolindur, por atë do ta prisnin dhe takonin vetëm ata që e kanë zemrën plot dhe të gëzuar, me shpresë dhe dashuri.

ANISA BAHITI ✍🏻

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu