Një skenë brutale ku dikujt i pritet koka, është publikuar në rrjetin e adoleshentëve TikTok, e maskuar nga autorët perversë si një rutinë normale kërcimi e një vajze nën tingujt e muzikës së lehtë.
Skenat besohet se janë filmuar në Meksikë dhe janë shpërndarë në internet që prej vitit 2019 para se të censuroheshin.
Komentues spekulonin se i përkasin ekzekutimeve të karteleve të drogës teksa theksi i burrave që dëgjohen ngjan me ato të zonës meksikane të Guanajuato.
Video është publikuar nga përdoruesi @mayenggo3, – i cili tashmë është ndaluar – i cili i kishte shpëtuar pikasjes nga zyrtarët e rrjetit duke modifikuar skenat e kërcimit të vajzës të shfaqura fillimisht.
Incidenti ka ngritur shqetësime për përmbajtjet ekstreme ndaj të cilave adoleshentet e fëmijët ekspozohen në rrjet që më vonë mund të kushtëzojnë sjelljet e tyre në realitet, duke i bërë të mesojne apo te adhurojnë dhunën e abuzimin.
Episodi ka ekspozuar gabimet në serverat që funksionojnë me inteligjencë artificiale, të cilat bëjnë skanimet dhe eliminimet e përmbajtjeve të dhunshme ose të papërshtatshme.
Përdorues të tjerë të TikTok kishin ngritur alarmin duke paralajmëruar të tjerët për të mos shikuar videon nëse dilte në linjën e tyre të informacionit.
Një zëdhënës i TikTok kërkoi ndjesë për përmbajtjen.
“Ne i vlerësojmë përpjekjet e komunitetit për të paralajmëruar mbi pamjet e papranueshme, të cilat ishin futur me anë të infiltrimit në një video të TikTok. Video është hequr nga rrjeti”.