Tragjike humbi jetën nga një sëmundje e rëndë, homazhe për presidenten e shkollës jopublike “Irfan Ngjeqari” në Berat. Përcillet për në banesën e fundit ikona e bamirësisë

0

Është përcjellë sot për në banesën presidentja e shkollës së parë jopublike “Irfan Ngjeqari” në Berat, Resmije Ngjeqari. Për të gjithë ata që e njihnin dhe kishin pasur kënaqësinë ta takonin qoftë edhe një herë të vetme, ajo kthehej në miken dhe bashkëpunëtore e tyre më të mirë. Resmije Ngjeqari ishte e vetmja dhe e para femër që 21 vjet më parë ngriti të parën shkollë jopublike në Berat, shkollën “Irfan Ngjeqari”, ku u edukuan me përkushtim e profesionalizëm breza të tërë nxënësish e maturantësh.64-vjeçarja Resmije Ngjeqari u sëmur papritur rreth 6-muaj më parë dhe u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme.

Ajo u dërgua në çdo spital privat në vend e më pas në Itali e Turqi, por edhe pas shumë diagnostikimesh e mjekimesh nuk mundi dot ta mposhtë sëmundjen e rëndë që i mori jetën. Trupi i saj i pajetë u vendos që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në hollin e shkollës jopublike “Irfan Ngjeqari”, shkollë që ajo e ngriti me aq mund e sakrificë. Miq, të afërm e familjarë kryhen homazhe në nderim të saj si dhe vendosën kurora e buqeta me lule në hollin e shkollës. Arkmorti i Resmije Ngjeqarit u përcoll mes lotësh e dhimbjesh mesditën e sotme për në banesën e saj të fundit, në varrezat e Burdulliasit në qytetin e Beratit.

Miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët e saj por edhe nxënësit e shkollës tregojnë mes lotësh për veprën dhe shpirtin e saj fisnik e human. Për ta Resmije Ngjeqari, do të ngelet e paharruar pasi-siç shprehen ata-ajo ishte një grua fisnike, e palodhur, e përkushtuar në punë e familje dhe një zonjë bamirëse që ka ndihmuar çdokënd që ka qenë në nevojë.
Resmije Ngjeqari ose siç njihej ndryshe “Mika”, do të mbahet mend gjatë në Berat për veprën e saj fisnike,për humanizmin e treguar ndër vite, për punën e palodhur dhe përkushtimin e saj në edukimin e shumë brezave. Vepra e saj fisnike e shndërroi atë në ikonën e bamirëses, në një “mike” e “bashkëpunëtore” të paharruar për gjithë beratasit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu