Policia dhe Prokuroria e Elbasanit kanë shpallur autor të vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi para 10 vitesh në Elbasan, shtetasin Mihal alias Mirgen Toshi, duke dhënë dhe masën “arrest me burg”.
Ky i fundit ndodhet në burg në Selanik duke vuajtur dënimin për tafik droge. Gjykata e Elbasanit e ka shpallur në kërkim, ndërkohë që hetuesit janë nisur sot drejt vendit fqinj.
Toshi është shpallur vrasësi i biznesmenit pas analizës së gjakut që është bërë, nga mostrat e marra në vendngjarje. Toshi është zbuluar nga një analizë ADN-je gjaku, njolla të cilat u gjendën në vendin e krimit, ku u ekzekutua Ilir Rexhepi në Elbasan.
Të dhëna të tilla kanë dalë dhe më herët gjatë këtij viti, por sot Gjykata e Elbasanit e ka shpallur në kërkim për vrasje.
Kujtojmë se Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës.