Nga “ferri në parajsë”, pa frikë kështu mund të konsiderohet rrugëtimi i Polonisë për në “Euro2024”. Në një grup me Shqipërinë, Lewandowski me shokë e panë vetën në vendin e tretë në Grupin E, por për fat siguruan një biletë për në “play-off” si një nga ekipet e treta më të mira.
Kapiteni siguroi në këtë mënyrë një tjetër Evropian, me siguri i fundit në karrierën e tij. Në fushë asnjanëse, të mbërthyer nga lufta, por Ukraina e ktheu në festë rrugëtimin për në “Euro2024”, siguruan një biletë pas fitores kundër Uellsit. Nuk mund të mungonte një urim nga ana e presidentit Volodymyr Zelenskyj:
“Faleminderit djemve, faleminderit skuadrës për emocionet që i dhuruan popullit, faleminderit për këtë sukses duke u bërë pjesë e Euro2024. Sa herë që ukrainasit janë në vështirësi, nuk dorëzohen, luftojnë dhe fitojnë.
Në momentin kur armiku kërkon të na shkatërrojë, tregojmë çdo ditë që ukrainasit ekzistojnë. Ukraina është dhe do të jetë”, u shpreh ndër të tjera presidenti me anë të një reagimi në rrjetet sociale.
Ashtu si Shqipëria në 2016, edhe Gjeorgjia siguroi për herë të parë një biletë për në Evropian: “Shkruam historinë. Është një ditë e jashtëzakonshme, nuk mund të them më shumë se kaq”, u shpreh Kvaratskhelia, njeriu simbol i këtij kualifikimi. Ky sukses u festua gjatë në çdo cep të Gjeorgjisë, tifozët ishin në delir për këtë arritje historike.