Zhdukja e 31 vjeçares shqiptare, reagon vëllai i saj: Festuam bashkë, la 4 fëmijët dhe u largua pas mesnate

0

Një 31-vjeçare nga Podujeva është larguar nga shtëpia mesnatën e së dielës, sipas vëllait të saj. Largimin e saj nga shtëpia e ka raportuar në polici vëllai, i cili ka deklaruar se motra i ka lënë katër fëmijët në shtëpi te ai. Express sjell detaje nga ky rast

Pas punës, A.I. nga Podujeva thotë se e ka marrë motrën E.B. nga shtëpia e burrit, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Bashkë me 31-vjeçaren ishin edhe katër fëmijët e saj.

E gjithë familja kishte festuar bashkë, e pas festës ishin shpërndarë për të fjetur. Por, atë mesnatë, E.B. kishte dalë nga shtëpia e vëllait, duke i lënë aty edhe katër fëmijët e saj.

Vëllai i 31-vjeçares ka deklaruar për Express se familja nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë te ajo.

“Ku është nuk e dimë, veç na ka bë shumë merak. Atë natë unë pas punës e kam marrë bashkë me fëmijët, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Kemi festu, kemi ndenjur të gjithë bashkë, e pastaj jemi shpërnda nëpër dhoma me fjet”, ka deklaruar A.I.

Ai tha se në kamerat e sigurisë që gjenden afërsi shtëpisë së tij, e ka parë motrën duke u larguar në mesnatë.

“I kam kthye kamerat, e kam pa që është largu prej shtëpisë në orën 01:46, i ka marrë dy valixhe”, ka deklaruar ai.

A.I. thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë pakënaqësi te motra e tij, e cila po qëndronte te shtëpia e bashkëshortit, i cili ka vdekur qe tri vite.

“Unë punoj te familja e ish-burrit të saj, nëse motra nuk kish kalu mirë unë s’kisha punu. Jetën e ka pasë shumë të mirë, ka kalu mirë, është familje shumë e mirë. Burri i ka vdekur qe tri vite, por ajo ka vazhdu me qëndru bashkë me fëmijët sepse e kanë pasur jetën e mirë. Me fëmijët ka qenë shumë e lidhur, ekstrem e lidhur. Fëmijët e saj janë më të mirët në shkollë, janë të edukuar”, ka deklaruar ai.

Vëllai i 31-vjeçares tha se në rrjetin social “Snapchat” ka marrë një mesazh nga dikush që pretendon se është motra e tij, por ky nuk i beson dërguesit të atij mesazhi.

“Më ka ardhë një mesazh në Snapchat, dikush e ka hap një llogari në emrin e vajzës së motrës. Por, nuk është ajo, ajo nuk shkruan ashtu. Unë e njoh motrën time, e di si më drejtohet mua, edhe si shkruan. Ajo shkruan pa gabime, mesazhi ishte krejt ndryshe. Unë veç lutem me m’kontaktu, veç le të është mirë”, ka deklaruar ai.

Ai tha se është e pamundur ta kontaktojë motrën, pasi telefoni i saj është i fikur dhe rrjetet sociale të saj nuk janë më aktive. Po ashtu, vëllai i 31-vjeçares tha se policia e ka informuar që lokacioni i fundit ku është gjurmuar telefoni i saj është në afërsi të rrugës Obiliq-Mazgit.

Ndryshe, për zhdukjen e 31-vjeçares nga Podujeva ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së hënës.

“Podujevë 02.01.2022 – 01:46. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se ditë më parë, motra e tij e dyshuara f/kosovare ka lënë katër fëmijët e saj tek ai dhe është larguar në drejtim të panjohur. Njësia përkatës policore është duke hetuar rastin”, ka bërë të ditur policia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu