Çmimet e larta në jug, Rama publikon foto nga Saranda: Këto janë plazhe tërësisht publike

0

TIRANË- Teksa gjatë këtij sezoni turistik të shumta kanë qenë ankesat e qytetarëve përsa i takon çmimeve të larta dhe mungesës së plazheve publike, kryeministri Edi Rama ka treguar se në vend ka plazhe tërësisht publike.

Në një postim në Facebook Rama ka publikuar disa foto nga bregdeti i Sarandës, ku shprehet se nga zona e pllakave deri në Ksamil ka disa zona me plazhe publike të mirëmbajtura nga bashkia.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të plazheve tërësisht publike përgjatë bregdetit të Sarandës, nga Pllakat deri në Ksamil, të mirëmbajtura e të pastruara nga bashkia dhe pa asnjë pagesë për pushuesit, ashtu si plot të tilla përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, ku po zhvillohet sezoni më i pastër e më i mirë organizuar turistik, ju uroj një ditë të mbarë”-shkruan Rama.

Disa ditë më parë Rama foli dhe për çmimet e larta të hoteleve në jug të vendit ku tha se të vendosësh tarifën prej 200-300 euro nata kur nuk ka cilësi shërbimesh është e palogjikshme.

“Në këtë rast është ekonomia që ndikohet nga marrëzia e vendosjes së çmimeve që e bëjnë shumë më të lehtë të shkosh në Greqi apo Turqi sesa të rrish në Dhërmi. Është i mrekullueshëm por jemi larg së garantuari cilësi shërbimesh. Ata që e garantojnë të kenë më të ulëta se dikush që hap një derë dhe kërcet 200-300 euro natën, është e palogjikshme”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu