14 vite më vonë, 41-vjeçari Myslim Istrefi, banues në Rromanat, Durrës ka përplasur me dashje për vdekje 57-vjeçarin Shaqir Estrefin banues në Rromanat, pasi ky i fundit në vitin 2006 i kishte vrarë babanë.
41-vjeçari, i cili pas testit të kryer rezultonte në gjendje të dehur, ka përplasur me qëllim për vdekje 57-vjeçarin teksa po lëvizte në këmbë. Ngjarja ndodhi një ditë më parë rreth orës 15: 00, në fshatin Rromanat. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2006 në fshatin Romanat. Qamil Estrefi, babai i viktimës Shaqir Estrefi vrau për motive ende të paditura, babanë e autori, Zydi Istrefin. Qamili Estrefi u arrestua dhe u dënua. Mësohet se ai ka vdekur disa vite më parë
Njoftimi i plotë i policisë
Policia zbardhi shkakun e ngjarjes rrugore të ndodhur ditën e djeshme në Rromanat. Falë veprimeve profesionale rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor , por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje. Vihet në pranga 41-vjeçari, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i kqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesonale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:
M.I., 41 vjeç, banues në Rromanat, Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi më datë 10.10.2020, rreth orës 15;00, në fshatin Rromanat, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjëndje të dehur, ka goditur këmbësorin shtetasin Sh.E., 57 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i cili si pasojë e goditjeve të marra, ndërroi jetë. Shtetasi M.I., dyshohet se ka goditur shtetasin Sh.E., për motive hakmarrje, pasi shtetasi Q.E., (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I., (babai i të dyshuarit). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.