“Të rishikohen pretendimet për trafik organesh”- Shqipëria dërgon në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

0

Shqipëria kërkon drejtësi nga Këshilli i Evropës pasi sipas saj, raporti i ishsenatorit zviceran, Dick Marty, për krime nga UÇK-ja është i pabazë ndaj duhet një raport i ri.

Nisur nga Kuvendi i Shqipërisë i përcolli dje zyrtarisht Këshillit të Evropës Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022. Shqipëria kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që të hartojë një raport të ri në të cilin ata të shqyrtojnë akuzat sipas Tiranës zyrtare të pabazuara tashmë për tregti të paligjshme të organeve njerëzore. Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës në notën verbale që mban datën 10 gusht e informon organizatën se Parlamenti shqiptar miratoi më 21 korrik 2022, rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Sipas palës shqiptare se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e Dick-ut mbeten të paprovuara. “Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës ka nderin t’ju informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 korrik 2022, rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pretendimet e bëra në Raportin e Dick Marty-t për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Po ashtu, në notën verbale të misionit të Shqipërisë në KiE të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë. Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

VIZITA

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se do të shkojë edhe vetë personalisht në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg më 10-14 tetor në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE për të rrëzuar rezolutën e miratuar në janar të vitit 2011 nga kjo organizatë për trafikun e jashtëligjshëm të organeve që sipas Dick Marty u bë me dijeninë e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Po ashtu, pretendohet se ata kanë eliminuar fizikisht jo vetëm civilë serbë, por edhe kundërshtarë të tyre politikë të kombësisë shqiptare.

Në aktakuzën ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës janë paraqitur së fundmi akuza të reja që kanë të bëjnë me krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një tjetër në Gjilan. Në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar më 21 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty për trafik organesh nga drejtuesit e UÇK-së. Pavarësisht debateve, opozita bashkoi votat me maxhorancën, duke votuar me 125 vota pro rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t. Raporti u mbështet nga Rusia, e cila ishte ndër të parat që artikuloi këto akuza.

Në seancën plenare, Kryeministri Rama i mëshoi faktit që raporti është i mbështetur nga Rusia dhe zëdhënës rus. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. Kryeministri Rama akuzoi opozitën se ishin ata që në vitin 2011 e votuan raportin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Rama tha se prej këtij raporti, u krijua Gjykata speciale e Kosovës, që çoi padrejtësisht në burg komandantët e UÇK-së, që është një prej krenarive më të madhe të shqiptarëve, një nga fytyrat e krenarisë. Sipas PS-së pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Raporti i Dick Marty, asnjë nga pretendimet nuk është vërtetuar

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi kujdeset të evidentojë se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Marty-t, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar. Sipas Rezolutës pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte. Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020. Në aktakuzën kundër tyre përmenden krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu