Ka nisur sot në Portin e Durrësit stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.
Në këtë ceremoni të veçantë marrin sot pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Meta, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, si dhe ambasadoren Yuri Kim. Kjo e fundi shfaqet në krah të kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që Meta dhe Ruçi shihen më pranë tyre.
Kjo është dalja e parë publike që bëjnë së bashku Meta, Rama dhe Kim, pas retorikës së ashpër që patën në muajin e fushatës para zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri.
Në pamjet e servirura nga ERTV nuk shihet nëse ka pasur një takim mes krerëve më të lartë të shtetit, ndërkohë që pritet të mbajnë dhe fjalën e rastit në këtë nisje të stërvitjes.