Vrasja e Bujar Çelës, Veliu i revoltuar në Elbasan, tone të ashpra ndaj drejtuesve, RENEA kontrolle në qytet, shoqëron disa persona

0

RENEA ka bërë shoqërimet e para në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës, i cili është vëllai i Talo Çelës, emër i njohur dhe në kërkim nga drejtësia për disa ngjarje kriminale, ndër më të njohurat grabitja në 9 prill të vitit të kaluar në Rinas. RENEA ka bastisur disa shtëpi në fshatin Broshkë dhe Përparim duke shoqëruar disa persona në lidhje me ngjarjen që tronditi qytetin e Elbasanit mëngjesin e sotëm.

Ndërkohë që pasditen e sotme në drejtim të Elbasanit ka udhëtuar drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardi Veliu i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Arben Dashi, i cili është drejtor i drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Veliu së bashku me dy zyrtarët e tjerë të lartë kanë marrë pjesë në analizën e zyrtarëve të grupit hetimor të policisë së Elbasanit. Abcnews.al mëson se Ardi Veliu ka qenë i ashpër duke ngritur tonin ndaj drejtuesve të policisë së Elbasanit në lidhje me ngjarjen. Bujar Çela u ekzekutua me katër plumba. Ai u vra jashtë një lokali ku po pinte kafen e mëngjesit.

Lexo edhe: Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja rrëfen çfarë pa

Çela ishte person pa precedent penalë dhe punonte si taksist në të zezë, ndërsa ekzekutimi dyshohet se mund të jetë hakmarrje për aktivitetin kriminal të vëllait. Ekzekutimi i tij dyshohet se mund të jetë bërë nga dy persona të maskuar të cilët më pas janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një makinë tip “Renault” me targa të vjedhura në Rrogozhinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu