Deputeti socialist nën hetim prej 8 muajsh nga SPAK. Reagon ambasadorja amerikane: Qendroni të ashpër

0

 

Në një reagim në Twitter ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përgëzuar SPAK për punën e bërë derimë tani, e që duket se i referohet dhe lajmit të publikuar dje, se prej 8 muajsh ka vënë nën hetim deputetin socialist Ervin Bushati.

“Hetimet dhe aktakuzat e qëndrueshme të SPAK janë inkurajuese – një shenjë e qartë që SPAK po ecën përpara hap pas hapi për të luftuar korrupsionin dhe krìmin e organizuar. Qëndroni në këtë linjë, vazhdoni të jini të ashpër. Vazhdoni të bëni punën tuaj të rëndësishme. SHBA është në mbështetje të Reformës në Drejtësi!“, shkruan Kim në postimin e saj.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK i konfirmoi Partisë Demokratike se kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati, është nën hetim për dy vepra penale në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë.

PD kërkoi transparencë një javë më parë përmes një letre nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, nëse SPAK ka regjistruar procedimin penal deputetit të PS, Ervin Bushati.

Ai është paditur për fshehje të pasurisë, mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Në përgjigje të kësaj kërkese, SPAK ka njoftuar Partinë Demokratike se në datën 12.03.2020, ka regjistruar procedimin penal nr. 93/2020 për veprat penale fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.

Procedimi penal është në fazën e hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu. PD e ka depozituar kallëzimin që në tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK, pas krijimit të kësaj prokurorie. Bëhet fjalë për mosdekalarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

Konkretisht, rezulton se ai nuk ka deklaruar pasuritë e paluajtshme si më poshtë:

Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017; Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017; Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.

Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016; Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016; Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014; Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu