“Italia mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Kjo është deklarata e bërë nga Kryeministri italian Mario Draghi i cili ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Shqipërinë.
Deklarata e tij u bë në një fjalim para Senatin italian të martën, raporton Euractiv.
Ai tha se qeveria e tij është dakord me hapjen e negociatave dhe me zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Kujtojmë që Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut paralajmëruan dje bojkot të Samitit të Bashkimit Europian më 23 qershor.
Rama e paralajmëroi vetë në “Twitter” mospjesëmarrjen në Samitin e Brukselit, ku Shqipëria është e ftuar, por ndërkohë Kryeministri u nis pasditen e djeshme në një udhëtim privat bashkë me djalin e vogël drejt Francës.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi refuzimin e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
E kjo për shkak të Bullgarisë dhe çështjes së hapur që ka RMV-në.
Rama shkruajti se nuk ka ndonjë arsye për të shkuar në Samit për sa kohë i gjithë Unioni është i rrëmbyer nga Bullgaria, një spektakël, që sipas tij, nuk është i mirë për t’u parë.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër ‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, tha Rama.